E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Ekspertët tregtarë të BE-së për bisedime në Uashington

BRUKSEL, 15 korrik /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian ka dërguar një ekip ekspertësh të tregtisë në Uashington për bisedime në nivel teknik, ndërsa presioni rritet për të siguruar një marrëveshje me administratën Trump përpara se tarifat ndëshkuese të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

“Një telefonatë midis komisionerit të Tregtisë të BE-së Maros Sefcovic dhe përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së Jamieson Greer ishte planifikuar gjithashtu për sot”, tha Komisioni Evropian.

Sefcovic zhvilloi dje një bisedë telefonike me sekretarin e Tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, tha një zëdhënës, megjithëse nuk u zbuluan detaje të diskutimeve.

Brukseli kërkon të shmangë tarifat prej 30% për mallrat e BE-së, të njoftuara nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili tha gjatë fundjavës se do t’i vendoste këto tarifa nëse BE-ja nuk bënte lëshime të mjaftueshme.

Republikani ka bërë thirrje për masa për të reduktuar deficitin tregtar të SHBA-së me BE-në, duke përfshirë potencialisht tarifa më të ulëta për eksportet amerikane në Evropë ose zhvendosjen e prodhimit evropian në SHBA.

Deri në kërcënimin e fundit të tarifave të Trump, zyrtarët e BE-së kishin shprehur optimizëm se një marrëveshje kornizë për të ulur tensionin në luftën tregtare ishte e arritshme, pas disa muajsh bisedimesh të vazhdueshme.

Në rast se SHBA-ja miraton tarifat e reja më 1 gusht, BE-ja ka sinjalizuar se do të hakmerret me kundërtarifa.

Sefcovic paralajmëroi dje se një tarifë prej 30% për BE-në do të përbënte një ndalim de facto tregtar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›