BRUKSEL – Kallas: BE të jetë më e ashpër ndaj politikës kineze përkundrejt Rusisë

BRUKSEL, 12 nëntor /ATSH-DPA/ – Shefja e ardhshme e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, kërkon që Bashkimi Evropian të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës për mbështetjen që kjo e fundit i bën Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
“Pa mbështetjen e Kinës për Rusinë, Rusia nuk do të ishte në gjendje të vazhdonte luftën e saj me të njëjtën forcë”, tha sot Kallas në një seancë dëgjimore në Parlamentin Evropian.
Parlamenti po shqyrton me kujdes kryediplomaten e ardhshme të BE-së në fusha të shumta, duke përfshirë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Lindjen e Mesme, Kinën dhe Ukrainën, si pjesë e procesit për të konfirmuar emërimin e pritshëm të Kallasit.
Kallas tha se Kina duhet të paguajë një “kosto më të lartë” për furnizimin e Kremlinit me materiale për prodhimin e armëve dhe për të ndihmuar Rusinë t’i shmangej sanksioneve të BE-së.
Duke u bërë thirrje vendeve anëtare të BE të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, Kallas theksoi urgjencën e kësaj çështjeje.
”Në kohën kur vendet duhet të përdorin burime të tilla, është tepër vonë për të marrë vendimin për t’i blerë ato. Ne duhet të marrim vendimet tani, kur jemi në kohë paqeje, në mënyrë që të jemi gati kur të vijë situata”, u tha ajo ligjvënësve të BE-së.
Ish-kryeministrja estoneze tha gjithashtu se blloku nuk duhet të pranojë që Koreja e Veriut, Irani dhe Rusia të mund të prodhojnë më shumë municion për luftën në Ukrainë sesa mund të bëjnë SHBA dhe 27 vendet anëtare të BE-së.
Në një mesazh të theksuar për administratën e ardhshme të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Kallas tha se Uashingtoni nuk mund të përballojë të fokusohet vetëm te Kina pa marrë parasysh Ukrainën, pasi të dyja çështjet janë të lidhura.
”Nëse SHBA është e shqetësuar për Kinën apo aktorë të tjerë, atëherë ato duhet të shqetësohen edhe për mënyrën se si ne reagojmë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës”, tha ajo./ a.jor.