BRUKSEL – Von der Leyen: Më shumë mbështetje e BE-së për Groenlandën

BRUKSEL, 15 janar /ATSH-DPA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen premtoi sot mbështetje të mëtejshme të Bashkimit Evropian për Groenlandën, pas bisedimeve të pasuksesshme amerikano-daneze në Uashington.
”Groenlanda mund të mbështetet te ne politikisht, ekonomikisht dhe financiarisht”, tha politikania gjermane gjatë një konference për shtyp në Limassol, Qipro, në kuadër të bisedimeve.
Ajo shtoi se siguria në Arktik është kryesisht çështje e NATO-s, por rajoni dhe siguria e tij janë gjithashtu një çështje qendrore dhe jashtëzakonisht e rëndësishme për Bashkimin Evropian.
”Kjo është, ndër të tjera, arsyeja pse ne po dyfishojmë investimet dhe mbështetjen për Groenlandën”, tha Von der Leyen, duke u referuar planeve buxhetore që do të dyfishojnë ndihmën financiare të BE-së për ishullin.
Ajo gjithashtu përmendi hapjen e një zyre të BE-së në Groenlandë në vitin 2024.
Zyra synon të forcojë më tej bashkëpunimin me qeverinë dhe popullsinë e Groenlandës.
”Bashkimi Evropian ka një reputacion shumë të mirë në Groenlandë…, punët mbi sigurinë e Arktikut do të vazhdojnë me aleatët dhe partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ajo.
Komentet e Von der Leyen ishin hera e parë që ajo foli publikisht për Groenlandën që nga përfundimi i bisedimeve dje në Uashington, të cilat përfunduan pa rezultate./ /Ad.Ab./ a.jor.