E Diel, 1 Nëntor 2026

Negociatat me BE-në, Lamallari: Adresuam 51 nga 64 boshllëqet kritike të “Themelorëve”

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me Grupin Ndërinstitucional të Punës për Integrimin Evropian, ku u diskutua për ecurinë e negociatave në nivel teknik përgjatë vitit 2025.

Ministri vlerësoi se “falë bashkëpunimit serioz ndërinstitucional kemi arritur rezultate domethënëse duke adresuar 51 nga 64 boshllëqet kritike të grupkapitullit të Themelorëve, ndërsa pjesa tjetër është në proces të avancuar”.

Ndërkohë, Lamallari theksoi se Reforma në Drejtësi ka nevojë të konsolidohet më tej, ndërsa janë bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, në mbrojtjen e të drejtave themelore, në lirinë e medias dhe në përafrimin e legjislacionit penal me standardet e Bashkimit Evropian.

“2026 mbetet një tjetër vit sfidues për ecurinë e negociatave dhe për rrugën tonë pa kthim drejt përmbushjes së aspiratës për Shqipërinë në BE”, u shpreh Ministri i Drejtësisë.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›