E Hënë, 2 Nëntor 2026

BRUKSEL – Von der Leyen viziton vendet e BE-së në kufirin lindor

BRUKSEL, 28 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të udhëtojë nesër për në Letoni, Finlandë, Estoni, Poloni, Lituani, Bullgari dhe Rumani.

Vizita e saj thekson mbështetjen e BE-së për shtetet anëtare që përballen me sfidat e ndarjes së kufijve me Rusinë ose Bjellorusinë.

Ajo gjithashtu do të diskutojë sigurinë dhe mbrojtjen e Evropës me liderët qeveritarë dhe zyrtarët ushtarakë.

“Nesër do të vizitoj shtatë vendet që mbrojnë kufijtë tanë lindorë me Rusinë dhe Bjellorusinë. Dua të shpreh solidaritetin tonë të plotë me ta dhe të ndaj me ta progresin që po bëjmë drejt një industrie të fortë mbrojtëse evropiane”,  tha Von der Leyen disa orë pas dëmtimit të selisë së Bashkimit Euopian  nga sulmet ruse në Kiev.

“Sulmi është një tjetër kujtesë serioze për atë që është në rrezik. Na kujton se Kremlini nuk do të ndalet para asgjëje për të terrorizuar Ukrainën duke vrarë pa mend civilë, burra, gra, fëmijë dhe madje edhe delegacionin evropian. Kjo është arsyeja pse ne do të mbajmë presionin maksimal mbi regjimin e Moskës, do të ecim përpara shpejt me paketën e 19-të të sanksioneve dhe do të ecim përpara me përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të kontribuar në mbrojtjen e Ukrainës”, shtoi ajo.

Nesër, ajo do të mbërrijë në Rigë, ku do të takohet me kryeministren letoneze Evika Salina.

Ata do të vizitojnë një fabrikë prodhimi dronësh që ka marrë mbështetje nga BE-ja përmes programit ”Next Generation EU”.

Më vonë gjatë ditës, ajo do të jetë në Helsinki, ku do të takohet me kryeministrin finlandez Petteri Orpo.

Të shtunën, presidentja do të shkojë në Estoni, ku do të takohet me kryeministrin Kristen Michal për një shkëmbim mendimesh me forcat e mbrojtjes së Estonisë dhe personelin ushtarak të NATO-s.

Të dielën, ajo do të udhëtojë në Poloni, ku do të takohet me kryeministrin Donald Tusk. Së bashku, ata do të vizitojnë kufirin me Bjellorusinë për të vëzhguar operacionet aktuale për monitorimin dhe sigurimin e kufijve lindorë.

Më vonë atë ditë, von der Leyen do të udhëtojë në Sofje, ku do të takohet me kryeministrin bullgar Rossen Jeliazkov. Së bashku, ata do të vizitojnë një fabrikë të madhe shtetërore të mbrojtjes dhe vendin më të madh të prodhimit të armëve në vend.

Të hënën, ajo do të udhëtojë në Vilnius, ku do të takohet me presidentin lituanez Gitanas Nausėda. Ata gjithashtu do të vizitojnë kufirin e vendit me Bjellorusinë dhe do të rishikojnë përgatitjet kundër kërcënimeve hibride dhe konvencionale.

Pasdite, presidentja do të udhëtojë në Rumani, ku do të takohet me presidentin Nicușor Dan dhe kryeministrin Ilie Bolojan, dhe së bashku do të udhëtojnë në kufirin me Ukrainën.

Presidentja von der Leyen do të diskutojë bashkëpunimin BE-NATO, si dhe parandalimin, zbulimin, mbrojtjen dhe frenimin e kërcënimeve detare dhe hibride./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›