BSH: Treguesi i ndjesisë ekonomike u ul me 1,5 pikë në prill

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Banka e Shqipërisë bëri të ditur se Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) shënoi rënie gjatë muajit prill, duke reflektuar një dobësim të besimit të biznesit dhe konsumatorit në disa sektorë të ekonomisë.
Sipas të dhënave zyrtare, TNE ra me 1,5 pikë krahasuar me muajin mars. Megjithatë, niveli i tij aktual vijon të qëndrojë 6,4 pikë mbi mesataren historike, çka tregon për një klimë përgjithësisht pozitive në ekonomi.
Rënia e treguesit u ndikua kryesisht nga ulja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe tregtisë, si edhe nga përkeqësimi i besimit konsumator.
Nga ana tjetër, zhvillimet në sektorin e industrisë dhe atë të ndërtimit dhanë kontribut pozitiv, duke zbutur pjesërisht efektin e rënies në sektorët e tjerë.
Sipas të dhënave, Treguesi i Besimit të Industrisë (TBI) u rrit me 1,5 pikë përqindje në prill. Rritja u ndikua nga vlerësime më optimiste të bizneseve për prodhimin industrial dhe ecurinë e kontratave porositëse nga eksportet.
Pozitive rezultoi edhe ecuria në sektorin e ndërtimit, ku Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u rrit me 4,9 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 10,6 pikë mbi mesataren historike. Kjo rritje u mbështet kryesisht nga përmirësimi i situatës së porosive aktuale, ndërsa vlerësimet për aktivitetin ndërtues dhanë një ndikim të lehtë negativ.
Në të kundërt, Treguesi i Besimit në Shërbime (TBSH) u ul me 1,7 pikë përqindje në prill, megjithëse mbetet rreth 9 pikë mbi mesataren historike. Rënia u ndikua nga vlerësime më të dobëta të bizneseve për kërkesën dhe aktivitetin aktual, ndërsa pritjet për çmimet u rishikuan në rënie.
Rënie më e theksuar u regjistrua në sektorin e tregtisë, ku Treguesi i Besimit në Tregti (TBT) u ul me 3,6 pikë përqindje. Pavarësisht kësaj, ai vijon të qëndrojë rreth 13,4 pikë mbi mesataren historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia lidhet kryesisht me vlerësimet më pak optimiste për ecurinë e shitjeve, ndërsa pritjet për çmimet vijuan të rriten.
Ndërkohë, Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) u ul me 3,2 pikë përqindje në prill, duke zbritur rreth 4,5 pikë nën mesataren historike.
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike përbën një matës të rëndësishëm të perceptimit të bizneseve dhe konsumatorëve mbi gjendjen dhe pritshmëritë për ekonominë, duke shërbyer si një sinjal i hershëm për ecurinë ekonomike në vend.
/e.xh/j.p/r.e/