E Diel, 1 Nëntor 2026

BUDAPEST – Pas largimit të Orban, Gjermania dhe Hungaria forcojnë marrëdhëniet dypalëshe

BUDAPEST, 14 shtator /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Hungaria synojnë të forcojnë bashkëpunimin në energji, kulturë dhe mbrojtje, njoftoi sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul gjatë takimit me homologen e tij hungareze, Anita Orbán, në Budapest.

Wadephul tha se Gjermania dhe Hungaria po përpiqen të hapin një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai është ministri i parë i Jashtëm gjerman që viziton Hungarinë prej gati shtatë vitesh dhe shoqërohet nga një grup përfaqësuesish të biznesit.

Dy ministrat njoftuan se Forumi Gjermano-Hungarez, një mekanizëm për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, do të zhvillojë një takim në Berlin më vonë këtë vit.

Marrëdhëniet u ftohën gjatë qeverisjes së Orbánit

Marrëdhëniet mes Berlinit dhe Budapestit ishin përkeqësuar gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit, i cili mbajti një qëndrim më të afërt me Moskën dhe kundërshtoi disa masa të Bashkimit Evropian kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Në zgjedhjet e prillit, Péter Magyar dhe qeveria e tij e re konservatore e larguan Orbánin nga pushteti, duke i dhënë fund 16 viteve të tij në krye të qeverisë.

Ministrja e Jashtme Anita Orbán, e cila nuk ka lidhje familjare me Viktor Orbán, tha se situata ka ndryshuar ndjeshëm.

“Ka përsëri dialog dhe bisedime”, tha ajo, duke theksuar se qeveria e re hungareze po ndjek një qasje më kritike ndaj Rusisë.

Bashkëpunim më i gjerë

Gjermania dhe Hungaria po shqyrtojnë mundësinë që viti 2028 të shpallet Viti Kulturor Gjermano-Hungarez, me qëllim rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe shoqërore.

Dy vendet synojnë gjithashtu të zgjerojnë bashkëpunimin ekonomik përtej industrisë së automjeteve, veçanërisht në elektronikë dhe industrinë e mbrojtjes.

Kryeministri hungarez Péter Magyar pritet të vizitojë Berlinin më 9 dhe 10 nëntor, ku do të zhvillojë bisedime me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Para vizitës, Wadephul përshëndeti edhe vendimin e Hungarisë, për të dëbuar 10 diplomatë rusë, duke e cilësuar këtë si një sinjal të qartë ndaj Moskës.

Ai tha se mbështetja e Hungarisë për sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, tregon se të dy vendet duan të mbrojnë paqen dhe sigurinë në Evropë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›