“Babai iu dha bukë të burgosurve duke manovruar me kolonelët gjermanë”/ Si e shpëtoi Ali Pashkaj dentistin hebre në Pukë, i biri: Tim atë donin ta pushkatonin

Historia e një familjeje shqiptare që ka mbrojtur dhe strehuar një djalë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore ka ardhur sot në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH 1. Enver Ali Sheqeri Pashkaj ka rrëfyer në një bisedë me gazetaren Sonila Agostini se si babai i tij Ali Pashkaj arriti të shpëtonte dentistin hebre Yeoshua Baruchowiç, i cili po transportohej në kampin e Prishtinës për t’u pushkatuar.
“Në Luftën e Dytë Botëror babai im shpëtoi një hebre që ishte në atë kohë para lufte, dentist në Shkodër dhe baba e kishte takuar. Rastësia e tij! Qëlloi që ishte i arrestuar nga kolona gjermane dhe po dërgohej për t’u vrarë në kampin e Prishtinës. Kolona kalon në Pukë, në fshat dhe baba aty e sheh dentistin Yeoshua Baruchowiç, e njeh dhe fillon me manovrat e tij. E njihte baba dhe e pyeti, ai i tregoi. Baba arriti t’i manipulojë, duke u dhënë kafe gjermanëve e pije dhe iu tha le të vijnë dhe ata të hanë se janë rob lufte. I shkruan një letër Yeoshua dhe i thotë që t’i do fshihesh, do ikësh në pyll sa të merrem me kolonelët. Kur arrin t’i bindë kolonelët me debat e zhurmë që t’u jepte për të ngrënë, ky vidhet dhe del jashtë. E diktuan atë që kishte ikur dhe e morën babën e çuan në shpat të malit për ta pushkatuar. Baba dinte gjermanisht dhe italisht, u tha unë nuk e njoh atë. Unë ju respektova juve, unë nuk e njoh. Gjermanët shkuan disa herë për të djegur dhe fshatin. Fati i tij që dinte dhe gjuhën gjermane dhe shpëtoi kot. Por baba i kishte thënë mos rri në fshat, por ik lart në mal”, rrëfeu Enver Ali Sheqeri Pashkaj.
Ai tregoi më tej se kanë pasur letërkëmbim dhe në vitin 2009 janë takuar në Jerusalem ku ka rrëfyer historinë.
“Kam qenë në 2009, jam takuar me të në Yad Vashem, ishin dhe udhëheqës të tjerë të botës. Biseduam me të, mandej nuk jam takuar më, por kemi biseduar me letra. Kjo ngjarje ka ndodhur në Pukë, në fshatrat e Pukës. Yeoshua jetonte në Shkodër. Baba ka pasur një dyqan të vogël dhe merrte mall në Shkodër dhe aty ka shkuar ka vënë një dhemb flori tek ai. Kjo ishte rastësia dhe fati i tij. Baba ka bërë këto manovra që ta shpëtonte. Ka ndenjur në shtëpinë tonë deri sa u çlirua krejt vendi. Më pas iku në Itali dhe në Meksikë. Kemi pasur komunikim me të dhe me Partinë e Punës”, tha ai.
Më tej Enver Pashkaj tregoi se si disa herë i ati u mor dhe nga autoritetet në kohën e diktaturës për t’u pyetur për komunikimin me Yeoshua.
“Në Partinë e Punës sa herë vinin letra nga Meksika duhej të shkonte të shpjegonte. 4-5 herë vinte xhipi dhe i gjithë fshati kujtonte se e kanë arrestuar. E çuan në Tiranë, ai e shpjegoi historinë si kishte qenë. Herën e parë e mbajtën 2-3 ditë. Kur e gjetën në arkivat e shtetit që ai kishte jetuar këtu e lanë. Ai çonte ndonjë stilolaps, ndonjë parfum”, tha ai.
Për Enverin, besa e shqiptarit është shumë e pathyeshme. “E kam shpjeguar dhe kur kam qenë në Yad Vashem në Izrael në vitin 2009. Më bënë pyetje ç’do të thotë besa e shqiptarit. I thashë që besa e shqiptarit është aq e fortë sa kur të japë besën dhe nëse është para plumbit ai, unë do të dal para tij që të më kapë mua që t’i shpëtoj jetën sepse është nën besën time, nën gjakun tim. Kështu ishin zakonet e shqiptarit atëherë dhe do të jenë gjithmonë shpresoj. Hebrenjtë kanë gjetur gjithmonë mbështetje dhe u kanë shpëtuar jetën shqiptarët, kam dëgjuar shumë histori sepse u takuam me shumë njerëz më pas. Shqiptarët kanë gjithmonë një gjak të pastër ndaj miqësisë dhe besës. Shqiptarët kanë një besë shumë të fortë, traditë shumë të fortë, një pasqyrë që është e kulluar në drejtimin e regjimit njerëzor”, tha Enver Pashkaj.
Sipas dokumenteve zyrtare, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët strehuan dhe shpëtuan rreth 3750 hebrenj.