E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtarët e konfeksioneve në Vlorë kundërshtojnë zhvendosjen nga tregu, paralajmërojnë protesta

Pas takimit të mbrëmjes së të hënës, tregtarët e konfeksioneve në Vlorë janë rikthyer sërish në ambientet e Bashkisë, duke kërkuar përgjigje për vijimin e punës së tyre.

Vendimi për rikonstruksionin e tregut të madh të qytetit dhe urdhri për zhvendosjen e tregtarëve brenda tre ditësh ka sjellë reagime të forta. Projekti i prokuruar parashikon përmirësim të infrastrukturës në fasadë për objektet fizike, por sipas tregtarëve nuk përfshin ndërtimin e një tregu të ri, duke i lënë ata pa hapësirë për tezgët.

Në takimin me kryebashkiaken Bruna Mersini, është propozuar si vend alternativ tregu në Jalli të Nartës. Por tregtarët nuk kanë pranuar, duke e cilësuar të papërshtatshëm për shkak të largësisë nga qyteti dhe mungesës së kushteve bazë. Ata kërkojnë që të vendosen brenda qytetit.

Takimi nuk ka dhënë rezultat, ndërsa mëngjesin e sotëm tregtarët janë rikthyer sërish në Bashki, pa marrë ende një përgjigje. Ata paralajmërojnë se do të vijojnë reagimet deri në organizimin e protestave, derisa të gjejnë një zgjidhje që u përshtatet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›