E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Jemi brenda afateve, Këshilli i Mandateve do të mblidhet për kërkesën e SPAK për Ballukun

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha sot në Kuvend se Këshilli i Mandateve do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Balla tha se qëndrimi i Kryetarit të Kuvendit dhe i grupit parlamentar të PS-së ka qenë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren sa i përket respektimit të të gjitha afatave që kanë të bëjnë me Këshillin e Rregullores.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është tërësisht në përputhje me Kuvendin. Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli ka një kohë të përcaktuar prej 3 muajsh. Vendimmarrja e marrë në Këshill qartazi ka thënë se sa kohë kishte një çështje ku palë e përfshirë ishte Kuvendi i Shqipërisë, natyrshëm që ishim të detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Balla.

“Palë e thirrur për shkak të prekjes së kompetencave të veta ishte edhe Kuvendi i Shqipërisë, ndaj ishim të detyruar që të prisnim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Jemi në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ka pasur një vendim, edhe pse 8 anëtarët e GjK-së i dhanë të drejtë Kryeministrit të Shqipërisë që kishte ndërhyrje në kompetencat e Këshillit të Ministrave, Parlamentit dhe Presidentit të Republikës”, tha Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha se Këshilli i Mandatave do të mblidhet dhe do të shqyrtojë kërkesën.

“Siç e kemi bërë publike ne do të vijojmë me një proces adresimi të asaj që ka thënë vendimi i GjK, na duhet ta marrim të zbardhur, ndaj i bëjmë thirrje që ta zbardhin vendimin dhe ta publikojnë në Fletoren Zyrtare”, tha Balla.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›