E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balla: Kemi dënuar në vijimësi çdo akt gjenocidi në Kosovë

TIRANË, 30 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi sot edhe vendimin e Konferencës së Kryetarëve për të rrëzuar mocionin me debat të paraqitur nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike për miratimin e një rezolute për njohjen e gjenocidit serb në Kosovë.

Në një komunikim me mediet, Balla u shpreh se Kuvendi ndër vite ka miratuar rezoluta duke dënuar atë që serbët kanë bërë në Kosovë.

“Ne i mbështesim liderët, komandantët e UÇK-së dhe kjo nuk ka asnjë dyshim. Në 4-vjeçarin e shkuar nuk di sa herë kam folur për këtë çështje. Kjo është një kërkesë që ka ardhur nga një deputet i caktuar i opozitës. Në mënyrë të përsëritur Shqipëria i ka dënuar të gjitha krimet genocidale të ndodhura në Kosovë nga regjimi i Millosheviçit nga viti 1991″, tha Balla.

Balla theksoi se Shqipëria nuk ka pritur 26 vjet të shprehet për një çështje, por e ka bërë atë në mënyrë të menjëhershme. Do t’i vendos në dispozicion të publikut të gjitha deklaratat dhe rezolutat. Vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 1999 janë 4 rezoluta dhe deklarata që i referohen akteve gjenocidale të veçanta që ndodhnin në vitin 1999 në Kosovë”, tha ai.

Balla kujtoi se Kuvendi është mbledhur menjëherë sapo është informuar për gjenocide. “Në 12 tetor 2023 kishim një rezolutë tjetër ku dënuam sulmin në Banjskë dhe nuk pritëm 26 vjet ta bënim këtë gjë. Kjo është një përpjekje që nuk ka të bëjë me realitetin. Është lajthitje të vish pas 26 viteve dhe t’i thuash atyre që kanë qenë në këtë institucion që nuk keni bërë detyrën”, shtoi Balla.

Sipas tij, “do ishte pa vend që Shqipëria të kujtohej pas 26 vitesh për këtë, kur në fakt Kuvendi i Shqipërisë e ka bërë këtë kur ka ndodhur çdo akt”.

Ndërkohë, Balla theksoi se parlamenti i Kosovës duhet të bëjë detyrën që i takon dhe të miratojë një rezolutë ku të shprehet qartë se liria e Kosovës sot e ka një emër, është meritë e popullit të Kosovës, e UÇK-së, meritë e rezistencës së Ibrahim Rugovës, meritë e SHBA-së dhe aleatëve të tjerë të NATO-s që bënë të mundur çlirimin e Kosovës.

Sipas tij, “është e papranueshme që mbi luftën për liri të popullit të Kosovës të hidhet baltë nga disa dëshmitarë më shumë se sa qesharakë”.

“Sapo parlamenti i Kosovës ta miratojë këtë rezolutë, ne na takon ta miratojmë të dytët një rezolutë të tillë me ligj dhe me kanun”, shtoi ai.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›