VanHorn takon Gogun, diskutim mbi agjendën ligjvënëse

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ E ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u takua sot me ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu.
Në takim u bisedua lidhur me agjendën ligjvënëse dhe identifikimin e fushave që përputhen me interesat e Shteteve të Bashkuara.
Gjithashtu u diskutuan shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve.
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua me Ministrin e ri për Marrëdhëniet me Parlamentin Toni Gogu për të kuptuar agjendën e tij ligjvënëse dhe për të identifikuar fusha që përputhen me interesat e Shteteve të Bashkuara. Ata diskutuan shpenzimet në fushën e mbrojtjes dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, të cilat SHBA i konsideron thelbësore në paraqitjen e një fronti të përbashkët kundër kundërshtarëve tanë dhe për të mbajtur vendet tona të sigurta”, thuhet në një njoftim të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Dje, e Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn zhvilloi një bisedë me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në rolin e saj të ri, pas javës së nivelit të lartë të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së.
Në takim u bisedua mbi përgatitjen e të dy vendeve aleate të NATO-s për të përballuar sfidat e reja të kohës sonë.
Në këtë kuadër, u diskutua mbi shpenzimet e qëndrueshme në fushën e mbrojtjes për sigurinë afatgjatë, bashkëpunim të ngushtë për të luftuar organizatat kriminale ndërkombëtare dhe kushte të drejta ekonomike që u mundësojnë bizneseve të lulëzojnë.
/gj.m/r.e/a.f/