Balla: Komisioni i Reformës Territoriale e ka përfunduar mandatin, procesi nuk mund të kthehet pas

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kundërshtoi në Kuvend kërkesën e opozitës për zgjatjen e afatit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, duke argumentuar se mandati i këtij komisioni ka përfunduar dhe nuk mund të shtyhet.
Balla deklaroi se vota e mazhorancës do të jetë kundër kërkesës për zgjatjen e afatit, pasi sipas tij një vendim i tillë do të binte ndesh me rregulloren e Kuvendit.
“Ky komision nuk mund të ringjallet më. E ka mbaruar mandatin e vet. Vota jonë është kundër kërkesës për zgjatjen e një afati që ka skaduar dhe nuk mund ta shkelim rregulloren”, tha Balla.
Ai e krahasoi kërkesën e opozitës me një udhëtar që kërkon të hipë në një tren pasi e ka humbur atë, duke argumentuar se procesi nuk mund të kthehet pas.
“Kërkesa e sapoparashtruar i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin një javë më parë dhe vjen pas një jave e thotë: ‘Dua të hipi në trenin që kam humbur para një jave’. Ndërkohë që ky është një proces i cili nuk mund të kthehet mbrapsht”, u shpreh ai.
Sipas Ballës, opozita kishte pasur mundësinë për ta diskutuar çështjen më herët, ndërsa solli si shembull rastin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, ku sipas tij kërkesa për zgjatjen e afatit ishte bërë nga të dy bashkëkryetarët dhe ishte miratuar me konsensus.
Ai tha se në rastin e Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale nuk ka pasur një kërkesë të tillë nga të dy bashkëkryetarët.
Balla sqaroi se qëllimi i seancës së sotme nuk ishte miratimi i një reforme të re territoriale, por dëgjimi i gjetjeve të komisionit.
“Sot do të dëgjohen gjetjet dhe kjo nuk do të thotë që sot do të miratohet reforma e re administrativo-territoriale. Më pas të gjitha palët politike, madje edhe çdo deputet nëse do, mund të vijë me propozime të veta”, deklaroi ai.
Kreu i grupit socialist theksoi se komisioni e ka përfunduar mandatin dhe se çdo diskutim i mëtejshëm për reformën mund të zhvillohet në një fazë tjetër parlamentare.
“Ky komision nuk mund të ringjallet më. E ka mbaruar mandatin e vet”, përsëriti Balla, duke ftuar deputetët të vijojnë me dëgjimin e gjetjeve të paraqitura nga të dy grupet parlamentare.
/gj.m/j.p/