Balla: “Paketa e Maleve”, zhvillim agroturizmi në tokat e të parëve

TIRANË, 21 maj /ATSH/ Vila “Si Era” përgjatë rrugës së lumit të Vlorës, vetëm 30 minuta nga Vlora ose nga Himara, përballë urës historike në Brataj, ka hapur dyert për turistët.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe njëherësh Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky investim, teksa theksoi se, “Paketa e Maleve” është mundësia për të rigjallëruar tokat e të parëve.
“Siç u zotuam para diasporës “Paketa e Maleve” është mundësia për të rigjallëruar tokat e të parëve, për të ndërtuar bujtina e agroturizëm dhe për të sjellë krenari e zhvillim në vendin tonë, kudo”, theksoi Balla.
Balla shtoi se, “Paketa e Maleve sjell “lehtësi në proceset e legalizimit dhe certifikimit të pronave të trashëguara nga prindërit dhe gjyshërit tuaj’.
“Paketa e Maleve”, i hap rrugë investimeve në agroturizëm, agropërpunim dhe turizëm malor, duke u dhënë një mundësi reale dhe mbështetje të posaçme të gjithë atyre që duan të rikthehen në tokat e të parëve nga qyteti apo nga jashtë vendit, për të arritur një sukses ekonomik për familjen e tyre, me procedura krejt të thjeshtuara dhe lehtësira fiskale, deri edhe 10 vjet Zero Taksa e Zero TVSH për 500 aplikantët e parë.
“Paketa e maleve”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë synon të zgjidhi një seri problemesh që kanë të bëjnë me mundësinë për të zhvilluar dhe për të investuar në zonat malore dhe ato që do të shpallen me interes për zhvillim.
Sipas ligjit, çdo bashki që ka një zonë malore ka të drejtë të shpalli një zonë malore prioritare për tu zhvilluar dhe është Këshilli i Ministrave ai që i jep kësaj zone statusin për tu zhvilluar.
Personat që janë pronarë të tokës në këtë zonë dhe nuk disponojnë certifikatë pronësie, por duan të ndërmarrin investime për zhvillimin turistik të saj, do të mbështeten përmes kësaj pakete në sipërmarrjen e tyre.
/a.f/