Balla: Presidenti Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje, nuk do të shkarkohet

TIRANË, 15 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet.
Në një prononcim për mediet nga selia e Kuvendit, Balla iu përgjigj deklaratave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili kërkoi nga Kuvendi fillimin e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
“Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje dhe nuk do të shkarkohet. Ka ngelur ndonjë institucion që nuk ka kërkesë për shkarkim nga ana e PD-së?”, tha Balla.
Balla theksoi se Presidenti i Republikës nuk do të shkarkohet, ndërsa u shpreh se në vlerësimin e tij Presidenti i Republikës nuk ka kryer asnjë shkelje.
“Shkeljen e Kushtetutës e vërteton Gjykata Kushtetuese, jo ky personi. Mua nuk më ka ardhur kërkesë për komision hetimor, më ka ardhur për shkarkim”, theksoi Balla duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve.
/r.e/a.f/