Balla: Projekti i Zvërnecit do ta vendosë Shqipërinë në “Ligën e Kampionëve” të turizmit ndërkombëtar

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Drejtuesi Politik i Qarkut Tiranë dhe kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e cilësoi PS si forcën politike që ka dhënë kontributin kryesor në ndërtimin e shtetit shqiptar modern, gjatë aktivitetit të organizuar për 35-vjetorin e krijimit të PS-së në Tiranë.
Në fjalën e tij, Balla kujtoi mesazhin e Fatos Nanos në themelimin e partisë, më 12 qershor 1991, duke theksuar se angazhimi për ta bërë Shqipërinë një shtet demokratik dhe europian është përmbushur përmes kontributit të socialistëve në qeverisje dhe opozitë.
Sipas Ballës, Partia Socialiste ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vite dhe ka shënuar 9 fitore në 10 zgjedhje me Edi Ramën në krye të saj.
“Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet”, deklaroi Balla, duke renditur si arritje forcimin e institucioneve, rritjen ekonomike, zhvillimin e turizmit, rritjen e investimeve të huaja dhe afrimin e vendit me Bashkimin Europian.
Ai tha se Shqipëria është sot më afër se kurrë anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërsa vlerësoi rolin e PS-së në proceset kyçe të shtetformimit, nga miratimi i Kushtetutës së vitit 1998, mbështetja për çlirimin e Kosovës, integrimi në NATO dhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian.
Balla ndaloi veçanërisht te reforma në drejtësi, të cilën e cilësoi reformën më të rëndësishme në 104 vite të shtetit shqiptar.
Sipas tij, pas miratimit të saj në vitin 2016, në Shqipëri janë krijuar dy kampe të qarta politike: ata që mbështesin reformën në drejtësi dhe ata që e kundërshtojnë atë.
Në pjesën e fundit të fjalës, Balla vlerësoi investimet strategjike në vend, duke veçuar projektin e “Power Holding” në Zvërnec, për të cilin tha se do ta vendosë Shqipërinë në “Ligën e Kampionëve” të turizmit ndërkombëtar.
“Ne jemi të vetmit që do ta përmbyllim anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe ne jemi të vetmit që do ta fusim Shqipërinë në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror”, u shpreh ai.
/e.xh/a.f/r.e/