E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Drejtësia është sakrifica reale për ndërtimin e shtetit europian

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama deklaroi sot se reforma në drejtësi dhe pavarësia e institucioneve të drejtësisë përbëjnë një nga arritjet më të rëndësishme të PS-së.

Gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Rama kujtoi periudhën kur ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, ishte në burg, teksa vlerësoi qëndrimin e tij pas lirimit, duke e cilësuar si një shembull të përgjegjësisë politike dhe demokratike.

“PS u ballafaqua me faktin që kryetarin e vet e pati në burg për tërë ato vite. Fatos Nano ka kontribut dhe, me sensin e tij të lidershipit dhe përgjegjësisë ndaj demokracisë, nuk doli nga burgu duke kërkuar hakmarrje, por duke kërkuar shtet. Shumë herë e kam dëgjuar që ne socialistët jemi të butë, por ky është ndryshimi mes sensit të përgjegjësisë për atë që duam t’u lëmë fëmijëve pas. Nuk ka forcë politike që hyn në histori se ndërtoi rrugë, por sepse pati kapacitetin të ndërtojë shtet”, u shpreh ai.

Kryeministri e lidhi këtë qasje me reformën në drejtësi dhe mbështetjen e PS-së për forcimin e institucioneve të pavarura.

“Ajo që kam nisur me Fatos Nanon është filli që ka vazhduar duke u zgjatur te reforma në drejtësi dhe përpjekja për ta bërë drejtësinë të pavarur. Ndaj ne nuk jemi si të tjerët që të kërkojmë lirimin e Erion Veliajt si i dënuar politik, sado e padrejtë të na duket neve, pasi ne jemi këtu për një detyrë më të madhe”, deklaroi Rama.

“Shqipëria është në një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Ne kemi mision t’ua lëmë vendin fëmijëve tanë në Bashkimin Europian dhe kjo kërkon sakrifica. Drejtësia është sakrifica reale që duhet bërë për të garantuar një shtet europian”, tha Rama.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›