Balla: Reforma Territoriale në fazën e shqyrtimit parlamentar

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës së mbajtur në Takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, u ndal te zhvillimet e fundit në Kosovë, procesi i integrimit europian, puna e Kuvendit dhe Reforma Administrativo-Territoriale.
Duke iu referuar qëndrimit të përbashkët të Kuvendit për zhvillimet në Kosovë, Balla theksoi se drejtësia ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të jetë e paanshme dhe e pandikuar politikisht.
“Shpresojmë shumë që vendimi në Gjykatën e Apelit të jetë një vendim i drejtë”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Balla hodhi poshtë pretendimet se Kuvendi miraton ligje me porosi, duke theksuar se çdo palë që ka pretendime mund t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë. Ai mbrojti gjithashtu ligjin e “Paketës së Maleve”, duke e konsideruar atë një instrument të rëndësishëm për zhvillimin e agroturizmit dhe ekonomisë në zonat malore të vendit.
Balla vlerësoi edhe faktin që opozita votoi një prej ligjeve të përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Europian, duke shprehur besimin që bashkëpunimi të vijojë edhe në seancat e ardhshme parlamentare për paketën e ligjeve të integrimit.
Lidhur me Reformën Administrativo-Territoriale, Balla sqaroi se komisionit të posaçëm i ka përfunduar mandati dhe se procedura tashmë ka kaluar në fazën e shqyrtimit parlamentar.
Sipas tij, reforma synon riorganizimin e njësive administrative nga 61 në 46, duke ruajtur njësitë me përbërje të minoriteteve kombëtare dhe duke pasur si objektiv kryesor përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Balla e cilësoi komisionin e posaçëm si një model bashkëpunimi mes palëve politike, ndërsa theksoi se puna e kryer deri tani do të shërbejë si bazë për vijimin e procesit në komisionet parlamentare përkatëse.
/m.m/r.e/a.f/