E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Sakrifica e efektivit Mekolli, moment reflektimi për respektin ndaj uniformës së policisë

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Kuvendi nderoi me një minutë heshtje efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi shumë të kërkuar në Maliq, të kërkuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në fjalën e tij, Balla tha se, operacioni ishte i vështirë dhe i rrezikshëm, ndërsa autori, i cili prej vitesh i fshihej policisë dhe kishte mundur t’u shpëtonte disa rrethimeve, hapi zjarr ndaj forcave të rendit. Si pasojë, Enea Mekolli humbi jetën, ndërsa një tjetër efektiv mbeti i plagosur. Autori u plagos dhe u vu në pranga nga Policia e Shtetit.

Balla theksoi se, sakrifica e efektivit duhet të shërbejë si moment reflektimi për respektin që shoqëria duhet të tregojë ndaj uniformës së Policisë së Shtetit.

“Gjaku i Policisë së Shtetit është gjaku i vetë shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësve të policisë ka ngritur dorë kundër shtetit”, deklaroi ai.

Kreu i grupit parlamentar socialist shprehu ngushëllimet për familjen e Enea Mekollit, uroi shërim të shpejtë për efektivin e plagosur dhe kërkoi dënimin maksimal për autorin e ngjarjes.

Në përfundim, Balla kërkoi mbajtjen e një minute heshtje në Kuvend në nderim të Enea Mekollit, i cili është shpallur Dëshmor i Atdheut. Kërkesa u pranua dhe seanca plenare nisi me homazhe për efektivin e rënë në krye të detyrës.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›