Balla në 80-vjetorin e Dokles: Mik i urtë dhe figurë e rëndësishme e jetës politike e kulturore

TIRANË, 11 mars/ATSH/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, uroi sot një nga themeluesit e Partisë Socialiste, Namik Dokle, me rastin e 80-vjetorit të lindjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla e cilësoi Doklen si një mik të urtë dhe një figurë të rëndësishme të jetës politike dhe kulturore në vend. Ai theksoi se, Dokle mbetet një personalitet i rrallë, pasi edhe në ditën e tij të lindjes u ka bërë një dhuratë miqve dhe lexuesve.
Bëhet fjalë për romanin-trilogji të titulluar “Atje ku dielli lind dy herë – Saga e Gorës”, një vepër e re letrare e autorit, e cila sipas Ballës përbën një kontribut të çmuar në letërsinë shqipe.
Urimi i Ballës është shoqëruar me vlerësime për krijimtarinë dhe kontributin e gjatë të Dokles në jetën publike.
/a.f/