Balla për masakrën e Reçakut: Ekzekutorët dhe urdhëruesit vazhdojnë t’i shmangen drejtësisë

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla kujtoi sot 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, një prej krimeve më të rënda të kryera nga forcat pushtuese serbe gjatë luftës në Kosovë.
Balla shkruan se 45 civilë shqiptarë u masakruan brutalisht në fshatin Reçak, duke theksuar se drejtësia për këtë krim dhe për masakrat e tjera ende mungon.
Ai u shpreh se, ndërsa komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë për akuza që i cilëson të pabazuara, ekzekutorët dhe urdhëruesit e masakrës vazhdojnë t’i shmangen ndëshkimit.
Balla nënvizoi gjithashtu se dëshmitarët e masakrës së Reçakut dhe të krimeve të tjera po ndahen nga jeta pa parë drejtësinë të vihet në vend, duke e bërë edhe më të domosdoshme kujtesën kolektive dhe kërkesën për llogaridhënie.
Ai e cilësoi këtë masakër si simbol të dhimbjes dhe sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës.
Masakra e Reçakut mbetet një nga ngjarjet që tronditi opinionin ndërkombëtar dhe shërbeu si pikë kthese për ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë.
/m.m/r.e/a.f/