Balla përkujton 582-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës: Një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka përkujtuar sot 582-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës.
Në një postim në rrjetet sociale, Balla thekson se 2 Marsi 1444 shënon një nga momentet më të lavdishme të historisë kombëtare, kur princat shqiptarë u bashkuan nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
“2 Mars 1444 – 582 vite nga Besëlidhja e Lezhës, kur princat shqiptarë u bashkuan nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke shënuar një nga momentet më të lavdishme të historisë sonë”, shkruan Balla.
Besëlidhja e Lezhës konsiderohet si një akt historik bashkimi politik dhe ushtarak i principatave shqiptare përballë pushtimit osman, që i dha jetë shtetit më të fuqishëm mesjetar të Arbërit, ku u farkëtua shpirti i arbërve dhe identiteti ynë kombëtar.
/gj.m/r.e/