Balla propozon ndryshime ligjore: I përgjigjen formave të reja të diskriminimit

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla prezantoi sot para anëtarëve të komisionit të Ligjeve disa përmirësime në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Balla theksoi se mbrojtja nga diskriminimi është një vendim sa ligjor, po aq edhe politik.
“Ndaj kam ardhur për të marrë vendimin ligjor dhe politik të këtij komisioni për të çuar përpara përmirësimet e tjera që duhet të bëjmë në këtë ligj në përpjekjet e përbashkëta kundër çdo lloj forme diskriminimi”, tha Balla.
Ligji aktual, sipas tij, ka qenë dhe mbetet një nga instrumentet themelorë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe funksionimin real të shtetit të së drejtës.
“Që prej vitit 2010, kur për herë të parë u iniciua ky ligj dhe kam qenë relator, jam munduar të jap çdo lloj forme kontributi për përmirësimin me standardet europiane të ligjit. Me përmirësimet që kam sjellë në vitet 2020 si deputet iniciues mendoj se e kemi forcuar aq sa ka qenë e mundur për atë moment arkitekturën ligjore të mbrojtjes kundër diskriminimit”, shtoi Balla.
Balla theksoi se ky është një prej atyre ligjve që sa më shumë ecën para koha, zhvillohet teknologjia, mjetet e komunikimit, aq më shumë rriten hapësirat e diskriminimit.
“Ndryshimet e propozuara kishin të bënin kryesisht me format e reja të diskriminimit të shfaqura për shkak të zhvillimit historik, kulturor, teknologjik të shoqërive tona”, tha Balla.
Balla theksoi se problem në këtë drejtim mbetet gjuha e urrejtjes..
Sipas Ballës, periudha 2020–2025 ka nxjerrë në pah forma diskriminimi për të cilat më parë as nuk ekzistonte vetëdije ligjore, si pasojë e zhvillimeve teknologjike, shoqërore dhe të komunikimit. Për këtë arsye, ligji hyn në një “fazë të re zhvillimi”, të përafruar drejtpërdrejt me direktivat e Bashkimit Evropian, përfshirë standardet më të fundit për funksionimin dhe pavarësinë e organeve të barazisë.
Një nga risitë më të rëndësishme, sipas Ballës, është futja për herë të parë në ligj e konceptit të “shqetësimit” si formë diskriminimi. Ai theksoi se sjelljet e padëshiruara që cenojnë dinjitetin e individit ose krijojnë një mjedis frikësues, armiqësor apo poshtërues tashmë trajtohen qartë si diskriminim, pa lënë hapësira interpretimi.
Po aq thelbësor është edhe përkufizimi i qartë i viktimës së diskriminimit, një boshllëk që, sipas Ballës, ka ekzistuar edhe pas ndryshimeve të vitit 2020. “E kishim ligjin, por nuk i garantonte drejtpërdrejt mbrojtje ligjore viktimës”, u shpreh ai, duke theksuar se ndryshimet e reja sigurojnë mbrojtje reale për çdo person ose grup që pretendon të jetë subjekt i diskriminimit.
Ligji zgjeron ndjeshëm edhe rrethin e subjekteve të mbrojtura, duke përfshirë shtetasit shqiptarë brenda dhe jashtë vendit, shtetasit e huaj rezidentë, personat pa shtetësi (apatridët), si dhe subjektet fizike dhe juridike nën juridiksionin shqiptar. Balla nënvizoi se kjo shtrirje garanton mbrojtje të barabartë jo vetëm ndaj autoriteteve publike, por edhe në raport me sektorin privat dhe kompanitë.
Një tjetër pikë kyçe është ndalimi i plotë i viktimizimit, ku çdo trajtim më pak i favorshëm ndaj një personi për shkak të ankimit ose kundërshtimit të diskriminimit ndalohet shprehimisht me ligj. Autoritetet publike dhe subjektet private detyrohen të marrin masa të menjëhershme parandaluese dhe mbrojtëse.
Balla theksoi gjithashtu se ndryshimet i japin përgjigje një problemi madhor: mungesës së informacionit se ku dhe si të ankohen viktimat e diskriminimit. Përmes forcimit të rolit dhe pavarësisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe zgjerimit të kompetencave të tij për ndërhyrje dhe padi në interes publik, qytetarëve u ofrohen mekanizma më të qartë dhe efektivë ankimi.
Sipas Ballës, këto reforma e bëjnë kuadrin ligjor më funksional dhe në përputhje të plotë me standardet evropiane, duke forcuar realisht mbrojtjen e viktimave dhe përgjegjshmërinë e institucioneve.
Në përmbyllje, ai u bëri thirrje anëtarëve të komisionit dhe Kuvendit që t’i mbështesin ndryshimet pa dallime politike, si një hap i domosdoshëm kundër diskriminimit në format e tij të reja.
/r.e/a.f/