E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Jemi kundër amnistisë, pabarazi dhe fsheh larjen e miliarda eurove

TIRANË 10 dhjetor/ATSH/ Partia Demokratike është kundër paqes fiskale, e cila parashikon amnistinë e detyrimeve tatimore për kompanitë për detyrimet më të vjetra se 10 vjet.

Kreu i Partisë Demokratie, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet nga selia blu, u shpreh se qendrimi i PD për amnistinë është i qartë, ai s’mund të ketë përjashtime.

“Nëse amnistia ndodh, ti nuk mund të përjashtosh. Se ai ka shkuar në gjykatë dhe tjetri nuk ka shkuar në gjykatë ti s’mund të përjashtosh. Por nëqoftëse ti hyn dhe fal ato të cilat nuk kanë shkuar në gjykatë dhe nuk kanë falë ato që kanë shkuar në gjykatë, të cilat të paktën pretendojnë se kanë një të drejtë dhe guxojnë të kërkojnë të drejtën e tyre, ti bën minimumi një pabarazi”, tha Berisha.

Sipas tij, PD është absolutisht kundër këtij kuadri ligjor të amnistisë. “E kemi deklaruar, të kësaj amnistie e cila fsheh kanalet e zeza të larjes së miliarda eurove nga klanet dhe kartelet e drogës”.

Ne jemi kategorikisht kundra. Në pamje të parë, kjo mund të duket se ne jemi kundër flukseve të parave. Jemi sepse është para toksike, është shkatërrimtare. Është faktuar që këto investime po shkatërrojnë ekonominë shqiptare”, u shpreh Berisha.

Si po e shkatërrojnë? Po e shkatërrojnë me një mekanizëm kryesor, dhe të tjerat pastaj, që është zhvlerësimi i euros. Merrni e lexoni pak të dhënat e inflacionit për muajin nëntor të INSTAT. Çfarë thoshin, u rrit çmimi i qirave. Po mirë më thuaj pak, a ka paradoks më të madh që të rritet çmimi i qirave në një kohë kur, janë në shkallë vendi mbi 200 e ca mijë banesa bosh dhe në Tiranë mbi 60 mijë apartamente bosh.

Si mund të rritet çmimi në kushtet normale, kur ka dhjetëra e mijëra banesa të pashitura. Çmimi rritet se tregu është në kthetrat e drogës. Ndaj rritet qiraja, ndaj rritet çmimi. Ndaj bie prodhimi, eksporti, shkatërrohen qindra e mijëra vende pune dhe ikin qytetarët”, tha Berisha.

I pyetur për çështjen e Avokatit të Popullit, Berisha nënvizoi se “në kandidaturat që do të mbështeste PD, nuk figuronte kandidatura e Endri Shabanit. PD i hoqi mbështetjen zotërisë dhe ata që kanë firmosur tërhoqën propozimin. Kjo është e vërteta.

Por, po këtu unë ju kam deklaruar se, kjo ndodhi pasi u deklaruar nga pala tjetër se, kandidati do ti jepej opozitës dhe ata operojnë me opozitën që duan, por opozitën që duan nuk e pranon kurrë PD-ja. Opozitën që duan e ka Edi Rama tani, kjo është platforma e tij.

Por ne jemi opozita e shqiptarëve, jo opozita e Edi Ramës. Jemi krenar që nuk na do Edi Rama. Po të mos ishte gabim, nuk tërhiqej mbështetja. Po të mos ishte gabim firmosja nuk tërhiqej mbështetja. Unë duhet ta pranoj një proces, por kjo erdhi krejtësisht nga një qëndrim i PS-së e cila kishte qëllim që të dilte tek opozita që donte”, u shpreh Berisha.

“Me opozitën që do ne nuk do jemi kurrë, ne do jemi opozitë e sovranit. Besoj se është e drejtë kjo dhe është interesi i të gjithëve kjo”, përfundoi kreu i PD.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›