Balla publikon pamje të efektivit të plagosur: Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas përplasjeve të shënuara gjatë protestës para Kuvendit, duke publikuar pamje të një efektivi policie të lënduar gjatë konfrontimeve me protestuesit.
Në videon e publikuar prej tij, efektivi shfaqet me dëmtime dhe gjak në pjesën e kokës, ndërsa Balla e ka cilësuar situatën si tejkalim të një proteste paqësore.
“Kjo nuk është më protestë paqësore, është terrorizëm. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkroi Balla në reagimin e tij.
Përplasjet para Kuvendit nisën në orët e mëngjesit, ku protestuesit hoqën një pjesë të gardhit metalik të sigurisë dhe hodhën vezë, domate e sende të tjera në drejtim të forcave të policisë.
Më pas, policia ndërhyri duke përdorur ujë me presion dhe spraj me piper për shpërndarjen e turmës.
/gj.m/j.p/