E Martë, 3 Nëntor 2026

Balla takime me shqiptarët në Londër: Mirënjohje për përfaqësimin dinjitoz që i jepni Shqipërisë

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla i është rikthyer takimeve me komunitetet shqiptare jashtë vendit, duke e nisur me një ndalesë mes shqiptarëve të suksesshëm që jetojnë dhe punojnë në Londër, pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Në një darkë festive mes qindra shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, Balla shprehu mirënjohjen për kontributin dhe përfaqësimin dinjitoz që diaspora i jep imazhit të Shqipërisë në botë.

“Këta këtu sonte janë shqiptarët e vërtetë të Londrës, që e bëjnë krenar Shqipërinë dhe shqiptarët. Prandaj: rrofshi ju dhe familjet tuaja në Shqipëri. Shumë mirënjohje të gjithëve!”, tha Balla.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku ishin të pranishëm sipërmarrës, profesionistë dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Londër, Balla theksoi se suksesi i tyre nderon Shqipërinë dhe shqiptarët, duke edhe shprehur dëshirën që darka të tilla, të cilat janë mesazhe shumë të bukura për gjithë diasporën, për gjithë shqiptarët kudo që janë, të kthehen në një traditë të bukur.

“Sepse vetëm kështu ne mund t’u tregojmë jo vetëm britanikëve, por të gjithë botës se kush janë shqiptarët e vërtetë,” u shpreh Balla.

Takimet me diasporën do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me ndalesa të planifikuara në Itali dhe Greqi, dy nga vendet me përqendrimin më të madh të shqiptarëve jashtë kufijve.

Partia Socialiste fitoi 122.255 vota, apo 61.14% të votave nga jashtë.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›