E Martë, 3 Nëntor 2026

Procesi i rinumërimit nis nesër, Celibashi: Do të hapen 2323 kuti, përfshirë 85 nga diaspora

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Pas vendimeve të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) Nesër do të zhvillohet procesi i rinumërimit i 2323 kutive të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi njoftoi sot se procesi zhvillohet nga 24 grupe numërimi, me 63 punonjës të administratës (48 numërues + 15 zëvendësues).

“Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhgues të autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia”, njoftoi Celibashi.

I gjithë procesi i rinumërimit realizohet në Pallatin e Sportit Farie Hoti në Tiranë dhe do të transmetohet live në rrjetet sociale të KQZ.

Rinumërimi do të zhvillohet për katër qarqe, Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan.

Në qarkun e Tiranës do të numërohen të gjitha kutitë e votimit brenda vendit në 18 KZAZ, në total 1282 qendra votimi.

Në qarkun e Fierit do të numërihen të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët në 9 KZAZ, në 587 qendra votimi.

Në qarkun e Durrësit do të bëhet rinumërim i plotë për 111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22; 126 QV të listuara nga PD-ASHM; 60 QV të kërkuara nga PLL.

Po ashtu do të rinumërohen edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit.

Në total sipas Celibashit janë 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë).

Në qarkun e Elbasanit do të rinumërohen 94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore).

Po ashtu Celibashi theksoi se janë shpenzuar 7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve; 8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike dhe 4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse

“Procesi i rinumërimit është një tjetër dëshmi e përkushtimit të KQZ-së për zgjedhje transparente, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse” theksoi Celibashi.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›