E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla takon kongresmenin Ritchie Torres në Bronx, qendrën e komunitetit shqiptaro-amerikan

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan Ritchie Torres, përfaqësues i distriktit të 15-të të Nju-Jorkut, që përfshin Bronksin (Bronx-in), zonën ku jeton edhe komuniteti më i madh shqiptar në Nju-Jork.

Bronksi konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan, ku institucione si shkolla shqipe “Children of the Eagle” dhe programi dygjuhësh shqip-anglisht luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës dhe identitetit shqiptar te brezat e rinj.

Gjatë vizitës, Balla shprehu mirënjohje për shqiptarët e Amerikës, duke i cilësuar ata si një komunitet që ruan rrënjët e tij dhe ndërton ura të forta miqësie dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ritchie Torres është një politikan amerikan i Partisë Demokratike, i lindur në Bronx më 12 mars 1988. Është deputet në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së që nga 3 janari 2021, ku përfaqëson distriktin e 15-të të Nju-Jorkut, që përfshin pjesë të Bronksit. Në periudhën 2014–2020 ai ishte anëtar i këshillit bashkiak të Nju-Jorkut.

Ai ka një histori të fortë personale në Bronks: është rritur në një kompleks banesash publike nga nëna e tij dhe është bërë në moshën 25-vjeçare zyrtari më i ri i zgjedhur i qytetit të Nju-Jorkut (New York City) në atë kohë.

Aktualisht, Torres po kandidon për rizgjedhje në Kongres në zgjedhjet e 3 nëntorit 2026, për të vazhduar përfaqësimin e distriktit të 15-të. Ai fitoi zgjedhjet paraprake demokrate të 23 qershorit 2026.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›