Balliu: Berisha simbol i korrupsionit shqiptar, nuk ka fuqi që të sfidojë Ramën

schedule10:21 - 6 Nëntor, 2026
Ish-kryetarja e Forumit Rinor të PD-së, Alesja Balliu, u shpreh në ABC News se Sali Berisha nuk përfaqëson më opozitën, por mban peng pluralizmin dhe rininë për interesat e tij personale dhe të familjes së tij.
Ajo theksoi se revolta e vërtetë qytetare i përket studentëve dhe sheshit, të cilët refuzojnë një figurë të konsumuar.
Balliu deklaroi se Berisha ka humbur çdo të drejtë morale për të pretenduar fitore përballë qeverisë, duke kujtuar se pas 13 vitesh dështime të njëpasnjëshme, rruga e vetme për rrotacion është hapja e garës dhe mbështetja e alternativave të reja.
“Berisha nuk pranon bashkimin e opozitës, por kërkon nënshtrimin e saj për mbijetesën e tij politike. Një lider i cili nuk mban përgjegjësi për humbjet e tij, si mund të mbajë përgjegjësi për popullin shqiptar? Është një lider i cili kërkon të mbajë opozitën për të mbijetuar politikisht dhe për t’i shpëtuar përgjegjësive që ka si një i pandehur në SPAK dhe në institucionet e drejtësisë. Sali Berisha ka qenë kryeministër, ka qenë president, kryetar opozite, ka mbi tre dekada në politikë. Në vend që t’i lërë vendin brezit të ri të sfidojë pushtetin, do vetëm të nënshtrojë palët dhe të bëhet patericë e pushtetit, sepse Sali Berisha nuk fiton dot.
Një person që është simbol i korrupsionit shqiptar nuk ka fuqinë morale të sfidojë Ramën apo Partinë Socialiste, sepse përballë këtij pushteti ka treguar vetëm një gjë: që është i dështuar në 13 vite. Opozitën e vërtetë sot e përfaqësojnë protestuesit dhe studentët në shesh. Ne na është privuar demokracia prej një njeriu që është i damkosur me korrupsion nga Londra e Shtetet e Bashkuara dhe i pandehur në SPAK. Nuk mund të jetë alternativë një figurë që kërkon institucione të pavarura, por njëkohësisht sulmon SPAK-un dhe drejtësinë sa herë përballet me ligjin”, tha Balliu.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

