E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: PD dënon dhunën ndaj protestuesve para parlamentit

TIRANË, 27 korrik /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, reagoi sot pas protestës së zhvilluar këtë të hënë para parlamentit, ku theksoi se ndaj protestuesve u ushtrua dhunë dhe se policia u përdor ndaj kundërshtarëve politikë të Kryeministrit.

Sipas Balliut, arrestimet dhe shoqërimet e qytetarëve kanë nisur që përpara fillimit të protestës, ndërsa shprehet se disa të rinj janë tërhequr zvarrë nga efektivë policie.

Balliu tha se, disa qytetarë kanë përfunduar në spital, ndërsa të tjerë janë shoqëruar në komisariate, vetëm sepse, sipas tij, tentuan të hedhin vezë në shenjë proteste ndaj qeverisë.

“Shoqërimet dhe arrestimet filluan që përpara protestës, të rinjtë u tërhoqën zvarrë nga mercenarë partie, që ditën vishen si policë dhe natën veshin mantelin e patronazhistit. Disa qytetarë janë dërguar sërish në spital, të tjerë në qelitë e paraburgimit. Edhe më i turpshëm është fakti që, gjatë gjithë kësaj kohe që qytetarët janë dhunuar, institucionet ligjzbatuese nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të mbrojtur protestuesit. Ku është Prokuroria? Ku është drejtësia? Si ka mundësi që qytetarët dhunohen në mes të ditës dhe nuk arrestohen as urdhëruesit, as ekzekutuesit?”, tha Balliu.

Balliu theksoi se “Partia Demokratike dënon këto akte kriminale, çnjerëzore dhe barbare të këtij pushteti, tashmë të degraduar dhe në grahmat e fundit”.

“Ne u garantojmë qytetarëve se do të bëjmë gjithçka për t’i vendosur para drejtësisë këta narkopushtetarë, të cilët kanë dhunuar qytetarët e lirë të këtij vendi me skema të denja për diktaturën hoxhiste. Nuk është e largët dita kur të gjithë këta narkoterroristë të pushtetit do të përballen me ligjin, me drejtësinë dhe me qytetarët”, tha ai.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›