E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: PS po pengon drejtësinë, të protestojmë në mbrojtje të shtetit ligjor

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, tha sot nga kryesia e Kuvendit, se veprimet e mazhorancës socialiste po pengojnë drejtësinë.

Duke ju referuar kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, Balliu tha se po përdoret pushteti për të mbajtur në këmbë një sistem që garanton shpërdorimin e parave publike.

“Nëse sot Kryeministri flet për standard dhe drejtësi, është e domosdoshme të kujtojmë se, ky shqetësim nuk ka ekzistuar kurrë kur bëhet fjalë për qytetarët. Protestuesit që ngrihen kundër korrupsionit të kësaj qeverie, jo vetëm që janë arrestuar në këtë kaluarën, por vazhdojnë arrestohen edhe sot.

“Qytetarët që protestojnë kundër aferave edhe abuzimeve të pushtetit, përballen me paraburgim dhe ndjekje penale, ndërsa qeveria i paraqet këto veprime si forcim të të ashtuquajtur shtet ligjor. Sot kur bëhet fjalë për një zyrtare të akuzuar për abuzime me miliarda euro dhe për ndërhyrje në procese hetimore, na thuhet se arrestimi nuk qenka i drejtë”, tha Balliu.

Sipas tij “ky standard i dyfishtë, tregon se nuk kemi të bëjmë me një debat juridik, por me një përpjekje politike për të mbrojtur një sistem të tërë, një sistem që funksion vetëm nëse çdo hallkë e tij mbetet e paprekshme dhe e mbrojtur nga pushteti politik”.

“Në momentin që një hallkë e këtij mekanizmi bie rrezikon që të zbulohet e gjithë skema sesi është përdorur pushteti për të shpërndarë paratë publike. Po sakrifikohen parimet e drejtësisë, po deformohet ligji dhe po përdoret pushteti për të mbajtur në këmbë një sistem që garanton vazhdimësinë e shpërdorimit të parave publike”, u shpreh Balliu.

Balliu tha se “sot shteti ligjor është rrëzuar, Shqipëria është bërë vendi i vetëm në botën perëndimore, ku vendimet e një partie politike mund të pengojnë vendimet e drejtësisë”.

Balliu ftoi qytetarët që të protestojnë më 12 mars para Parlamentit.

“Të bashkohemi kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të shtetit ligjor”, u shpreh ai.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›