E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Verës në Tiranë, kufizime të përkohshme të qarkullimit të mjeteve

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Bashkia e Tiranës ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit të automjeteve në disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit, në kuadër të aktiviteteve festive që do të zhvillohen për Ditën e Verës.

Sipas njoftimit zyrtar, devijimi i trafikut do të nisë nga ora 12:00 e datës 13 mars dhe do të zgjasë deri në orët e para të datës 15 mars 2026. Masat janë marrë për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia e Tiranës dhe për t’u krijuar qytetarëve mundësinë që të festojnë në mënyrë të sigurt.

Në këtë kuadër, nga data 13 mars, ora 22:00, deri më 14 mars në orën 18:00, do të kufizohet qarkullimi në segmentet e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme deri në fillim të ish “Hotel Dajti”, si dhe në vijim nga Ura e ish “Hotel Dajti” deri në kryqëzimin me rrugën “Ismail Qemali”, më pas deri në kryqëzimin me rrugën “Gjergj Filipi” dhe deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.

Ndërkohë, nga data 13 mars, ora 12:00, deri më 15 mars në orën 02:00, do të kufizohet qarkullimi edhe në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri në kryqëzimin me rrugën “Brigada VIII”, si dhe në rrugën “Pjetër Bogdani”, nga kryqëzimi me rrugën “Sami Frashëri” deri në kryqëzimin me rrugën “Gjin Bue Shpata”.

Qarkullimi i automjeteve, përfshirë mjetet e emergjencës dhe të Policisë së Shtetit, do të orientohet sipas planit të lëvizjes në rrugët “Lek Dukagjini”, “Abdyl Frashëri”, “Papa Gjon Pali II”, “Sami Frashëri”, bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Bajram Curri”, rrugën “Myslym Shyri” dhe rrugën “Abdi Toptani”.

Po ashtu, Bashkia bën të ditur se do të ketë ndryshime edhe në itinerarin e disa linjave urbane. Linja nr. 13 “Tirana e Re” dhe linja nr. 2 “TEG – Sauk i Vjetër – Kopshti Zoologjik – Ish Stacioni i Trenit” do të devijojnë lëvizjen përmes sheshit “Wilson” dhe bulevardit “Zogu I”.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›