E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu: Qeveria e ktheu uniformën blu në mburojë të bandave

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Policia e Shtetit shënon sot 113-vjetorin e themelimit. Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një deklaratë për mediet nga selia blu, theksoi se qeveria e ka kthyer uniformën blu në mburojë të bandave.

Sipas tij, ky 113-vjetor e ka gjetur Policinë e Shtetit në ditët më të zeza të historisë së saj.

Në fjalën e tij, Balliu tha se shumë efektivë policie të cilët kanë janë betuar që të zbatojnë ligjin në shërbim të qytetarit, janë përndjekur e kërcënuar nga kryeministri Edi Rama.

“Synimi ka qenë i qartë. Të përzënë çdo polic dinjitoz, që ngre zërin kundër padrejtësive dhe shkeljes së ligjit”, tha ai.

Gjithashtu Balliu theksoi se drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilirjan Proda është emëruar nga krimi i organizuar.

“Sot ka shefa policie dhe drejtorë që dalin në përgjime si prodhues dhe trafikantë droge, që manipulojnë provat në favor të kriminelëve, që u japin informacion vrasësve me pagesë, që u nxjerrin në pritë kriminelëve policët e ndershëm, duke çuar informacion te shokët e tyre banditë”, tha ai.

Balliu iu bëri thirrje të gjithë policëve që “të refuzojnë urdhrat e paligjshëm të drejtuesve narkotrafikantë, dhe t’i bashkohen përpjekjeve kombëtare, të opozitës dhe çdo qytetari të ndershëm, për të hequr qafe këtë bandë vjedhësish, që po mban peng të ardhmen e shqiptarëve që kanë vendosur të jetojnë në atdhe”.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›