KOMENT – Shiu dhe ngricat paralizojnë transportin në Evropën Qendrore dhe Lindore

PRAGË, 13 janar /ATSH/ – Shiu dhe ngricat shkaktuan sot ndërprerje të mëdha në udhëtime në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore, duke detyruar aeroportet në Çeki, Austri, Sllovaki dhe Hungari të shtyjnë fluturimet, sipas AP.
Fluturimet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vjenës, një nga më të ngarkuarit në Evropën Qendrore, u pezulluan përkohësisht.
Aeroporti ”Václav Havel” i Pragës u detyrua të kufizojë mbërritjet, ndërsa aeroporti ndërkombëtar i Sllovakisë u mbyll për disa orë.
”Shiu i ngrirë dhe kushtet ekstreme të akullit ndaluan të gjitha nisjet dhe mbërritjet në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Ferenc Liszt’ të Budapestit”, shkroi në rrjetet sociale ministri hungarez i Transportit, Janos Lazar.
Zëdhënësi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vjenës, Peter Kleemann tha se fluturimet hyrëse u devijuan drejt aeroporteve të tjera, si Mynihu, Frankfurti, Këlni dhe Venecia, ndërsa nisjet u vonuan.
Operacionet pritej të rifillonin gjatë orëve të vona të paradites.
Vala e të ftohtit ka shkaktuar gjithashtu probleme në transportin publik.
Pas reshjeve të mëdha të dëborës javën e kaluar, shërbimet e tramvajit në Budapest u ndërprenë për shkak të akullit të grumbulluar, njoftoi autoriteti i transportit publik të kryeqytetit.
Operatori kombëtar hekurudhor i Austrisë, ÖBB, tha se priteshin vonesa në veri dhe lindje të vendit, përfshirë Vjenën, dhe u bëri thirrje udhëtarëve të shtyjnë udhëtimet jo urgjente.
Autoritetet çeke njoftuan se disa trena dhe autobusë u anuluan, ndërsa pasagjerët në stacionin kryesor të kryeqytetit u përballën me vonesa që zgjatën me orë. Ata shtuan se autostrada D8 drejt Gjermanisë u mbyll për shkak të një aksidenti në anën gjermane të kufirit. Në disa zona në lindje të Gjermanisë u raportuan rrugë të mbuluara nga akulli.
Temperaturat në Rumani, e cila ka përjetuar reshje të dendura dëbore gjatë javës së fund në disa zona parashikoheshin të zbrisnin deri në minus 13 gradë Celsius, duke detyruar disa shkolla të kalojnë në mësim online.
Shërbimi Meteorologjik i Hungarisë tha në një deklaratë se në lindje të vendit priteshin reshje të konsiderueshme bore, ndërsa në zonat më perëndimore pritej shi dhe shi i ngrirë. /Ad.Ab./ a.jor.