E Diel, 1 Nëntor 2026

Balliu akuza për emërim politik, Lamallari: Hita oficer me integritet

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari deklaroi në seancën e sotme plenare se Policia e Shtetit duhet të mbështetet dhe të gjykohet mbi bazën e punës dhe profesionalizmit, ndërsa i cilësoi të pabazuara akuzat e opozitës për drejtuesin e ri të institucionit.

Duke iu përgjigjur deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, Lamallari theksoi se, emërimi i Skënder Hitës në krye të Policisë është bërë në bazë të meritës dhe një procesi konkurrues të monitoruar edhe nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht të Bashkimit Europian.

Sipas tij, Hita është oficer karriere me eksperiencë disavjeçare në drejtimin e strukturave të ndryshme të policisë, duke u dalluar për profesionalizëm dhe integritet.

“Policia ka nevojë për besim dhe mbështetje. Drejtuesi i ri duhet të vlerësohet përmes punës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë publik”, u shpreh ministri.

Lamallari shtoi se politizimi i vazhdueshëm i institucioneve të sigurisë nga opozita dëmton funksionimin e tyre dhe procesin e integrimit europian të vendit, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një moment të rëndësishëm sa i takon përparimit në negociatat me Bashkimin Europian.

“Vetë Policia e Shtetit politizohet dhe çfarëdo që ajo të bëjë, do të kenë mallkimin e pashmangshëm të një opozite që ka si mision vetëm të hedhë baltë mbi çdo kënd, të institucionalizojë dhunën duke e bërë instrument politik. Dhe jo vetëm për fatin e keq të Policisë së Shteti dhe çdo institucioni shqiptar, por për fatin e keq të Shqipërisë, e cila është në një moment vendimtar në raport me përmbylljen e procesit të negociatave, me gjithë progresin e bërë shumë mirë”, u shpreh Lamallari.

Ai nënvizoi se gjatë takimeve të fundit në Bruksel ka marrë vlerësime pozitive për progresin e vendit, përfshirë edhe në kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, ku Policia e Shtetit ka dhënë kontribut të rëndësishëm.

Nga ana tjetër, deputeti Balliu akuzoi qeverinë se emërimi i ri në krye të policisë është i motivuar politikisht, duke e lidhur atë me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›