E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku: Ulim çmimin e energjisë, këtë vit finalizojmë disa projekte të mëdha në infrastrukturë

Abonentët familjarë gjatë vitit 2025 do ta paguajnë më lirë çmimin e energjisë elektrike. Këtë premtim e përsëriti zëvendëskryeministrja Belinda Balluku në mesazhin e saj urues, por nuk detajoi se sa do të jetë çmimi i ri i energjisë.

“Energjia ka bërë hapa të qenësishëm gjatë vitit 2024, për herë të parë ndërmarrjet tona kanë arritur që të kenë bilance pozitive, të mirëmenaxhuara. Të mirëmenaxhuara në aspektin teknik, duke ofruar kushte më të mira të shpërndarjes energjetike apo të transmetimit, por nga ana tjetër, ka dhe një arritje shumë të rëndësishme gjatë vitit 2024, stabilizim i financave të këtyre ekonomive, duke na dhënë mundësi që gjatë vitit 2025 të ulim çmimin e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët. Gjithashtu, kemi ulur humbjet teknike në nivelin 17.93, duke krijuar të ardhura plus për kompanitë dhe duke mundësuar kështu uljen e këtij çmimi të energjisë”, tha Balluku.

Mes punëve që do të mbyllen gjatë këtij viti, sipas Ballukut, janë edhe hapja e aeroportit të Vlorës apo përfundimi i disa nga veprave më të rëndësishme rrugore.

“Një gur tjetër kilometrik është vendosur gjatë vitit 2024 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për Aviacionin Civil, mbi 10 milionë pasagjerë janë ulur në aeroportin e Rinasit, në aeroportin e shqiptarëve, i cili do të pasohet gjatë vitit 2025 me një tjetër aeroport ndërkombëtar, atë të Vlorës, ku të gjithë po presin me padurim operimet e tij nga vera e këtij viti. Lajme të mira, si ato të fundvitit do të kemi plotë gjatë vitit 2025, ashtu si Tirana u rrethua nga një unazë infrastrukturore moderne që plotëson të gjitha kushtet dhe parametrat e kriteret e Bashkimit Europian, ashtu do të vazhdojmë të punojmë në të gjithë vendin, për të përmbyllur të gjitha kantieret që tashmë kanë nisur nga puna apo për të hapur kantieret e reja, të cilat do ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër, në një nivel europian, ashtu siç kemi premtuar, ashtu siç jemi duke bërë me punën tonë çdo ditë”, tha Balluku.

Thumanë-Kashar, një nga projektet infrastrukturiore që Belinda Balluku e veçon si sukses të 2024, do të jetë me pagesë për përdoruesit nga data 4 janar./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›