Balluku i kalon stafetën Enea Karakaçi në krye të MIE: Asgjë nuk do të fshijë punën e bërë në këto 7 vite

Belinda Balluku i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën ministrit të ri të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës, Balluku vlerësoi punën e bërë nga stafi ndër vite, duke theksuar se institucionit i janë lënë pas arritje të rëndësishme në sektorin e energjisë dhe infrastrukturës.
“Unë jam këtu për t’i vënë një fund këtij rrugëtimi që kemi bërë së bashku në 7 vite, por me gjurmë të jashtëzakonshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjatë këtij rrugëtimi jemi përballur me vështirësi sfiduese, por ato na kanë bërë më të fortë dhe kanë krijuar një nga skuadrat më profesionale dhe më frymëzuese të administratës shqiptare”, u shpreh Balluku.
Ajo theksoi se ministria ka arritur të realizojë projekte që më parë konsideroheshin të parealizueshme, duke përmendur rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë dhe diversifikimin e portofolit energjetik të vendit.
Sipas saj, ndër arritjet kryesore janë krijimi i bursës së parë shqiptare të energjisë, rritja e ndërgjegjësimit për eficencën energjetike dhe investimet në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e rrugëve, autostradave dhe tuneleve moderne.
“Duket e pabesueshme që një grusht njerëzish ia kanë dalë të ndryshojnë në katërçipërisht situatën. Kemi rritur ndjeshëm kapacitet prodhuese të vendit tonë duke diversifikuar portofolin energjetik. Kemi arritur të ngremë bursën e parë shqiptare energjetike. Kemi arritur të edukojmë qytetarët me eficencën energjetike i kemi bërë pjesë të politikave tona. Ju duhet të ndjeheni krenarë, për transformimin e aeroportit të Tiranës dhe po ashtu edhe aeroportin e Vlorës dhe dje pashë që ishte hapur thirrja për punonjësit e parë. Kemi ndërtuar rrugë dhe autostrada moderne, tunele që nuk do t’i shkatërrojë as pika e ujit që tashmë zë vend në të gjitha portalet, kur shiu fillon të bjerë. Asgjë nuk do të fshijë punën tuaj. Falënderoj zotin Rama për të gjithë mundësinë që më ka dhënë këto vite dhe shembullin që ka krijuar me mënyrën e tij të lidershipit”, tha ajo.
Në fjalën e saj, ajo vlerësoi edhe vendimin e kryeministrit Edi Rama për t’i besuar drejtimin e ministrisë Enea Karakaçit, duke e cilësuar atë si zgjedhjen më të mirë për të vijuar punën dhe projektet e nisura.
/rtsh.al/