E Diel, 1 Nëntor 2026

Balluku për hetimin e SPAK: Jam mësuar me gjyqe publike. S’komentoj drejtësisë, ajo duhet të bëjë punën e saj

Ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar lidhur me hetimin e nisur ndaj saj nga SPAK, duke theksuar se ka vendosur të mos komentojë procesin dhe t’i lërë drejtësisë të bëjë punën e saj.

Balluku u shpreh se proceset juridike nuk zgjidhen në media apo rrjete sociale, por duhet të ndjekin rrugën e tyre ligjore. Ajo theksoi se nuk do të komentojë dhe as të sulmojë institucionet e drejtësisë, duke shtuar se beson te drejtësia e re e krijuar pas reformës në drejtësi.

“Kam marrë një vendim personal, me vullnet të lirë, që të hesht për një çështje juridike, pasi unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale dhe as në bankete mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj ashtu siç e parashikon Kushtetuta, kodet apo ligjet në fuqi. Kam vendosur, ndryshe nga shumë të tjerë, të mos analizoj, të mos flas dhe të mos anatemoj, por të jem konsistent në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Unë besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Ramës dhe PS-së, si një produkt i një Shqipërie europiane, duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për këtë vend, pasi kjo reformë u krye për të kthyer besimin e qytetarëve tek një drejtësi e drejtë dhe e pavarur”, tha Balluku.

Balluku deklaroi se nuk ka pasur dhe nuk ka lidhje me korrupsionin, ndërsa theksoi se ndaj saj është zhvilluar shpesh “gjyq publik”.

“Unë besoj tek kjo drejtësi dhe nuk do të më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur ajo godet kundërshtarët e mi politikë, pasi unë nuk kam kundërshtarë të tillë, dhe as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mi personalë.

Nuk do të më dëgjoni kurrë të përmend prokurorë dhe gjyqtarë, pasi besoj se ata duhet të bëjnë detyrën e tyre, ashtu siç e kam bërë edhe unë, dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjykata publike, nga gjysmë të vërteta apo nga gënjeshtra. Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin. Unë jam rritur me gjyqet publike dhe ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqit publik pasi jam trajnuar dhe  kalitur që e vogël’, tha ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›