E Diel, 1 Nëntor 2026

“Banda e Mirditës”,dy burgime përjetë e 57 vjet në qeli



TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda “vulosi” burgim të përjetshëm dje për Nikoll Syziun dhe Dritan (Ndoin) Syziun, të akuzuar për vrasjen e policit Gjon Pacuku në vitin 2000 në Rrëshen. Për katër të pandehurit e tjerë të dosjes pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Bardhyl Dhama vendosi një total prej 57 vjetësh heqje lirie. Shkalla e Parë e Gjykatës për Krimet e Rënda i dha fund dje shqyrtimit gjyqësor të dosjes në ngarkim të gjashtë të pandehurve të akuzuar si anëtarë të “bandës së Mirditës”. Gjykata deklaroi fajtorë të pandehurit Nikoll Syziun dhe Dritan (Ndoi) Syziun për një sërë akuzash të ngritura ndaj tyre mes të cilave edhe “vrasje me dashje për shkak të cilësive të veçanta” duke i dënuar ata me “burgim të përjetshëm”. Fajtorë për akuzat që u “rëndonin” janë shpallur edhe të pandehurit e tjerë të dosjes. Gjykata vendosi dënimin me 15 vjet burg për të pandehurin Bardhok Syziu dhe nga 15 vjet heqje lirie për Tom Syziun, Tom Gjokën dhe Arjan Reçin, të akuzuar për “vjedhje me armë”. Përveç dy dënimeve me “burgim të përjetshëm” masa e dënimeve të dhëna për të pandehurit është më e ulët nga sa ishte kërkesa e prokurorisë. I pandehuri Dritan (Ndoi) Syziu u gjykua në mungesë në këtë proces. Shqyrtimi i kësaj dosjeje në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda zgjati 63 seanca gjyqësore. Të pandehurit e kësaj dosjeje u vendosën përpara drejtësisë si të akuzuar për ngjarjen e qershorit të vitit 2000 në Rrëshen. Gjatë ndërhyrjes së policisë kundër një grabitjeje në parkingun e ish-SMT-së së qytezës, nga hedhja e një granate nga keqbërësit dhe nga shkëmbimi i zjarrit u vra polici Gjon Pacuku, u plagosën tre policë të tjerë dhe roja i parkingut. Referuar kërkesës për gjykim të prokurorisë, ndihmë në zbardhjen e çështjes ka dhënë bashkëpunimi me prokurorinë i dëshmitarit Paulin Ndoi, vëllai i të pandehurit Dritan (Ndoi) Syziu. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›