E Diel, 1 Nëntor 2026

Vajza, tutore e tri prostitutave VIP



Fatos Mahmutaj

Një vajzë ka qenë “menaxherja” e tri prostitutave të ndaluara pak ditë më parë në Tiranë në aksionin “Dritat e Kuqe”, të cilat merrnin 400 euro për çdo akt seksual me klientët. Mekanizmi i shfrytëzimit të tre studenteve si prostituta nga dy të rinjtë Besim Lami dhe Gentian Buzi, mundësohej nga një vajzë. Ajo qëndronte thuajse gjithë kohën me tri vajzat që ushtronin prostitucion me klientë kryesisht shtetas të huaj. Pas takimit me klientët, vajza u merrte paratë tri vajzave dhe i dorëzonte ato tek tutorët e tyre. Në vendimin gjyqësor për caktimin e masës së sigurisë për dy të akuzuarit që u lanë në qeli deri në përfundim të hetimeve dhe tri vajzave që u liruan me detyrim paraqitjeje pohohet se: “Nga materialet hetimore ka rezultuar se nga ana e seksionit kundër trafiqeve të paligjshme në Drejtorinë e Policisë Tiranë janë marrë disa informacione se Besim Lami shfrytëzonte si prostitutë një vajzë me të cilën bashkëjetonte e cila ishte studente në Tiranë. Për këtë fakt Prokuroria e Tiranës ka marrë vendim për kryerjen e vëzhgimeve të këtij shtetasi. Nga veprimet vëzhguese ka rezultuar se në dy raste me Lamin dhe shtetasen I.J. është takuar Gentian Buzi i shoqëruar me një vajzë. Të dy këta shtetas dyshohet se kanë përdorur në bashkëpunim, me qëllim shfrytëzim prostitucioni shtetaset I.J. dhe vajzën tjetër ende të paidentifikuar. Kjo për faktin se në një takim të fundit ata i kanë ofruar vajzat në një hotel ku janë shoqëruar me disa shtetas ku kanë ushtruar prostitucion. Më pas, vajzat janë shoqëruar nga Besim Lami dhe Gentian Buzi për në banesat e tyre. Më datë 23 prill 2010 rreth orës 01:30 pas një mbikëqyrje të lëvizjeve të kryera nga shtetasi Besim Lami, oficerët e seksionit të trafiqeve në Policinë e Tiranës kanë ushtruar një ndërhyrje në ambientet e hotel “E”.red, ku Besim Lami kishte ndërmjetësuar me tre prostituta dhe tre shtetas kosovarë me qëllim kryerjen e prostitucionit në këto ambiente. Besim Lami kishte bërë marrëveshje që nga 150 euro do t’u jepte vajzave, ndërsa të tjerat një prostitute me emrin G.M. do t’ia jepte atij si shpërblim për punën e kryer. Nga kontrolli i ushtruar në dy prej dhomave me numra 209 dhe 211 të këtij hoteli ka rezultuar se vajzat janë kapur në flagrancë tek po kryenin marrëdhënie seksuale tre shtetas kosovarë B. Bajraktari, K. Bajraktari dhe D. Ramadani me tre prostituta e që i kishte takuar me ta Besim Lami. Prostitutat ishin G.M., O.ç. dhe F.Ll. Nga dëshmia e shtetasit Ramadani ka rezultuar se nëpërmjet një personi me emrin Altin ai ishte lidhur me Besim Lamin, të cilit i kishte kërkuar që t’i gjente femra kundrejt parave për të kryer marrëdhënie seksuale. Besimi i kishte çuar fillimisht dy femra dhe më pas edhe një të tretë. Të njëjtin shpjegim kanë dhënë dhe dy kosovarët e tjerë. Sipas Ramadanit, Besimi u ka kërkuar 250 euro për çdo vajzë dhe më pas kanë rënë dakord që të paguhej 200 euro për çdo vajzë. Këto para do t’i merrte G.M. dhe asaj do ia jepte kosovari Ramadani. Në çantën e G.M. janë gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale një shumë prej 600 euro. është realizuar në këto kushte arrestimi në flagrancë i tre vajzave G.M., O.ç. dhe F.Ll., si dhe dy djemve Gentian Buzi dhe Besim Lami”, përfundon gjykata.

Prostituta kapet në hotel, me 3 klientë
TIRANE - Një vajzë 19-vjeçare është arrestuar gjatë orëve të parë të mëngjesit, duke ushtruar prostitucion me tre klientë njëkohësisht, në dhomën e një hoteli në periferi të kryeqytetit në zonën e Freskut. Bashkë me të skuadra e Antitrafiqeve të Tiranës, ka vënë në pranga edhe dy persona të dyshuar si tutorë të vajzës Manjola P., që sipas policisë e trafikonin nga Durrësi për të ushtruar prostitucion. Burime nga policia thanë se u arrestuan Jeton Torozi, 24 vjeç dhe Edmond Selmani, 28 vjeç me akuzën e “trafikimit të femrave”, ndërsa 19-vjeçarja Manjola P. me akuzën e “prostitucionit”. Hetimet ndaj dy djemve kanë nisur pas kallëzimit që kanë bërë edhe dy vajza të tjera 19-vjeçare, të cilat në deklarimet e tyre pretendojnë se Torozi dhe Selmani i kanë detyruar të ushtrojnë prostitucion. Madje përveç kërcënimeve verbale dhe me fjalë, dy tutorët, sipas vajzave, kanë ushtruar edhe dhunë fizike e në disa raste iu kanë vënë pistoletën në gojë, duke i detyruar të prostituonin. Për këtë arsye, burime kofidenciale nga policia thanë se dy 19-vjeçaret që kanë kallëzuar rastin, janë marrë në mbrojtje dhe janë strehuar në një qendër të fshehtë rehabilitimi për viktimat e trafikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›