Banka Shqiptare e Zhvillimit nis aktivitetin në 2026

TIRANË, 24 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi sot se Banka Shqiptare e Zhvillimit është tashmë një realitet ligjor dhe po përgatitet të nisë aktivitetin e saj në vitin 2026.
Në konferencën për shtyp të mbajtur sot mbi treguesit ekonomik, ministrja Ibrahimaj tha se ligji për krijimin e Bankës së Zhvillimit u miratua në gjysmën e parë të vitit të kaluar, duke materializuar një ide të hershme për ndërtimin e një institucioni financiar të dedikuar për mbështetjen e sektorit privat dhe investimeve në vend.
Banka është regjistruar dhe ndërtimi i saj po zhvillohet në bashkëpunim me Kasa Depozitive Presiti, një institucion italian me mbi 100 vite traditë në fushën financiare.
“Modeli i parashikuar për bankën shqiptare është i ngjashëm me atë të Cassa Depositi e Prestiti dhe është një instrument jashtëzakonisht i nevojshëm për ekonominë shqiptare, veçanërisht në këtë periudhë integrimi europian dhe sfidash që kërkojnë investime dhe akses më të lehtë në financë për sektorin privat”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Ministrja shpjegoi se Banka e Zhvillimit është konceptuar si një institucion shumicë (“wholesale”) dhe nuk është menduar të japë kredi direkte ndaj individëve, përveç rasteve të veçanta në bashkëpunim me bankat ekzistuese, duke formuar një konglomeratë bankash për financimin e projekteve madhore.
Struktura e saj do të mbikëqyret nga Cassa Depositi e Prestiti dhe do të përfshijë bashkëpunim me institucione ndërkombëtare, përfshirë Bankën e Investimeve të Francës, kryesisht në monitorimin e riskut.
Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se struktura qeverisëse e bankës është e dizajnuar për të garantuar pavarësi nga ndikimi politik dhe për të siguruar vendimmarrje profesionale, duke u fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe në qëndrueshmërinë e institucionit.
“Banka e Zhvillimit do të mbështesë modernizimin e sektorit privat shqiptar dhe do t’i japë mundësi atij të ketë akses në financë me kosto të reduktuara, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit”, tha ministrja.
BZH do të fokusohet në projekte që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë, duke ndjekur standardet më të larta të transparencës dhe llogaridhënies.
Ndër të tjera, institucioni do të sigurojë financime për projekte publike dhe private në nivel lokal e qendror, duke krijuar ura bashkëpunimi mes kapitalit publik dhe privat.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të funksionojë si një shoqëri aksionare, me Ministrinë e Financave si aksionarin kryesor dhe një kapital fillestar prej 10 miliardë lekësh.
/a.f/