E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohen katër protestuesit e ndaluar pas protestës së opozitës

TIRANË, 24 dhjetor /ATSH/ Gjykata e Apelit e Tiranës ka vendosur lirimin e katër protestuesve të ndaluar pas protestës kombëtare të opozitës, e zhvilluar të hënën e 22 dhjetorit përpara godinës së Kryeministrisë.

Pas vendimit të gjykatës, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi në një prononcim për mediat, duke deklaruar se protestuesit kishin dalë në shesh për të kundërshtuar korrupsionin, krimin dhe, sipas tij, lidhjet e tyre me pushtetin.

Noka theksoi se qytetarët ishin akuzuar padrejtësisht si destabilizues, ndërsa sipas tij, veprimet që cenojnë stabilitetin e vendit po kryhen nga qeveria.

Sipas Nokës, vendimi i Gjykatës së Apelit dëshmon se arrestimet e protestuesve kanë qenë të paligjshme dhe të pambështetura në prova.

“Gjykata vendosi që arrestimi është i paligjshëm”, tha Noka.

Deputeti demokrat akuzoi kryeministrin Edi Rama për tentativa destabilizimi dhe u shpreh se zgjidhja e vetme për situatën politike, është krijimi i një qeverie teknike.

Ai paralajmëroi se protestat e nisura më 22 dhjetor do të vijojnë deri në largimin e qeverisë aktuale, duke theksuar se opozita do të vazhdojë aksionin e saj politik në rrugë.

“Protestat e nisur me datë 22 do të vazhdojnë deri në largimin e kësaj qeverie. Ata janë destabilizuesit e vetëm të këtij vendi dhe zgjidhja e vetme është qeveria teknike”, tha Noka.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›