E Diel, 1 Nëntor 2026

Banka e Shqipërisë: Ndërtimi sektori më optimist, shërbimet në rënie

TIRANË, 5 janar/ATSH/ Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) në Shqipëri shënoi një rënie të lehtë me 0,4 pikë në muajin dhjetor, sipas Bankës së Shqipërisë, duke qëndruar megjithatë rreth 6 pikë përqindje mbi mesataren historike.

Rënia e përgjithshme u ndikua kryesisht nga dobësimi i besimit në sektorët e shërbimeve dhe industrisë. Në sektorin e shërbimeve, treguesi ra me 2,8 pikë për shkak të vlerësimeve më pak optimiste për aktivitetin dhe kërkesën aktuale, ndërsa pritjet për punësimin u rishikuan për poshtë dhe çmimet priten të rriten. Në industrinë, besimi ra lehtë me 0,2 pikë, kryesisht për shkak të pritjeve për ulje të porosive nga eksportet, megjithëse pritjet për punësimin u rritën dhe çmimet e produkteve do të mbeten të qëndrueshme.

Sektori i tregtisë dhe treguesi i besimit të konsumatorëve mbetën pothuajse të pandryshuar. Në tregti, aktiviteti i tanishëm u vlerësua më pak pozitiv, por pritjet për punësimin u rritën, ndërsa konsumatorët ruajtën besimin e tyre, me pritje të përziera për situatën ekonomike dhe financiare.

Sektori i ndërtimit mbeti më optimisti, duke shënuar një rritje të besimit me 4,5 pikë, dhe qëndron 16,6 pikë mbi mesataren historike. Rritja u mbështet nga aktiviteti i lartë i biznesit dhe porositë aktuale, ndërsa pritjet për çmimet e ardhshme u rritën gjithashtu.

1 nga 4

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›