Kristjan Asllani drejt largimit nga Torino, Interi e propozon te Fiorentina

TIRANË, 5 janar /ATSH/ Kristjan Asllani duket se e ka mbyllur aventurën e tij me Torinon.
Klubi “granata” nuk është i gatshëm të paguajë në fund të sezonit shumën prej 11,5 milionë eurosh për kartonin e mesfushorit shqiptar dhe po planifikon rikthimin e tij tek Interi, që zotëron të drejtat e lojtarit.
Marrëveshja ende nuk është zyrtarizuar, por edhe presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, ka pranuar publikisht se një skenar i tillë është i mundur.
Ai ka lënë të kuptohet se për Asllanin do të gjendet një zgjidhje tjetër, ndërsa diskutimet për të ardhmen e tij kanë nisur që në momentin kur u raportua largimi nga Torino.
Sipas gazetarit të njohur të merkatos italiane, Nikolo Schira, ndarja e Asllanit me Torinon është tashmë çështje e mbyllur dhe Interi ia ka propozuar mesfushorin klubit të Fiorentinës.
Skuadra e Firences ndodhet aktualisht në fundin e renditjes në Serie A dhe ka nisur një revolucion në organikë, duke u ndarë nga disa lojtarë që kanë zhgënjyer, çka mund ta bëjë atë të interesuar për shërbimet e shqiptarit.
Edhe vetë Asllani ka nevojë për një projekt të ri, pas eksperiencës jo të suksesshme te Torino, duke synuar një klub ku të ketë më shumë besim dhe hapësira për të shprehur plotësisht aftësitë e tij.
Fiorentina mund të përfaqësojë një mundësi të tillë për mesfushorin e Kombëtares shqiptare.
/gj.m/r.e/a.f/