“Bankers Petroleum”, debate në Kuvend mes qeverisë dhe opozitës

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Në seancën e sotme në Kuvend, ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u përfshinë në debat lidhur me hetimin ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”.
Deputetja Tabaku ngriti shqetësimin se si është lejuar kompania të kryejë evazion fiskal për më shumë se 12 vite, pa u marrë asnjë masë nga qeveria shqiptare.
“Prej vitesh, deputetët e opozitës në Komisionin e Ekonomisë kanë kërkuar hetime të plota dhe informacione në Parlament për keqmenaxhimin dhe korrupsionin në këtë çështje”, tha Tabaku. Ajo gjithashtu akuzoi qeverinë për shitjen e “Bankers Petroleum” në një kompani kineze offshore, duke e cilësuar këtë si një mjet për pastrim parash dhe evazion fiskal.
“Pas 12 vitesh u zbulua se kjo kompani jo vetëm ka kryer evazion fiskal, por edhe ka pastruar para. Bankers duhej të ishte një nga asetet më të mëdha dhe fitimprurëse të vendit, por në vend të kësaj, ka vjedhur shtetin”, shtoi deputetja.
Nga ana tjetër, ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se kontrata e lidhur me Bankers Petroleum është firmosur në vitin 2004 dhe rishikuar në vitin 2009, gjatë periudhës kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Ai argumentoi se ky rishikim u bë në disfavor të shtetit shqiptar.
“Sot, hetimet ndaj Bankers Petroleum janë iniciuar nga kjo qeveri dhe nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Hetimi është ende në proces dhe do të zbulojë figurat përgjegjëse, qoftë për evazion fiskal, qoftë për pastrim parash”, deklaroi Malaj. /j.p/