E Martë, 3 Nëntor 2026

Pr/ligji “Për lehtësimin e tregtisë elektronike”, Gonxhja: Kuadër ligjor rajonal i harmonizuar me BE

TIRANË, 3 korrik/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr. 2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, “Për lehtësimin e tregtisë elektronike””.

Në fjalën e tij Gonxhja tha se “ky projektligj është hartuar duke marrë në konsideratë se tregtia elektronike rrit mundësitë e tregtimit në shumë sektorë, brenda dhe jashtë vendit,  si dhe duke patur në qendër të tij besimin e konsumatorit, sepse siguron nivel të lartë të mbrojtjes të tij”.

“Qëllimi i projektligjit është krijimi i kuadrit ligjor rajonal të harmonizuar me rregulloret e BE-së që do të garantojë lëvizjen e lirë të shërbimeve të shoqërisë së informacionit si dhe aspekte të mbrojtjes së konsumatorit lidhur me tregtinë elektronike, me qëllim garantimin e një niveli krahasueshmërisht të lartë të mbrojtjes së konsumatorit”, theksoi Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “tregtia elektronike po bëhet një pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe është jetike për bizneset që shesin produktet ose shërbimet e tyre në internet. Tregtia elektronike u jep bizneseve mundësinë për të arritur më shumë klientë sesa tregtia tradicionale e shitjes me pakicë”.

Tregtia elektronike, vijoi Gonxhja, vazhdon të zgjerohet me ritme të shpejta, e nxitur nga zhvillimet teknologjike, përmirësimi i platformave të pagesave dhe rritja e besimit të konsumatorëve ndaj blerjeve online.

“Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, tregtia elektronike jo vetëm që lehtëson qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve në nivel rajonal, por edhe krijon mundësi të reja për bizneset e vogla dhe të mesme që të konkurrojnë në tregun ndërkombëtar”, tha Gonxhja.

Gonxhja renditi disa nga përparësitë që synohen të arrihen dhe efektet e pritshme.

“Ky projektligj synon hartimin e një kuadri të harmonizuar ligjor të rregullave dhe parimeve kyçe për zhvillimin e tregtisë elektronike rajonale, në përputhje me acquis përkatëse të BE, me qëllim rritjen e lëvizjes së lirë të mallrave dhe shërbimeve në rajon. Sigurohet mbështetje legjislative nga Palët, që në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet ofruesit të shërbimit të shoqërisë së informacionit dhe marrësit të shërbimit, të sigurohet dhe të inkurajohet përdorimi i skemave të zgjidhjes jashtëgjyqësore, e gjithashtu njoftimin e Palëve ndërmjet tyre për vendimet e rëndësishme që marrin lidhur me shërbimet e shoqërisë së informacionit”, nënvizoi Gonxhja.

Gonxhja u shpreh se “gjithashtu synohet vendosja e bashkëpunimit administrativ ndërmjet Palëve, me mjetet e duhura duke vendosur dhe respektuar parimet e këtij bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve përgjegjëse të palëve për zbatimin e ligjeve në mënyrë efektive si dhe inkurajimi i hartimit të kodeve të sjelljes nga operatorët për të kontribuar në zbatimin e duhur të dispozitave të Vendimit”.

Projektligji është në përputhje me frymën e programit të qeverisë në lidhje me zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal si dhe Planin e Veprimit 2021 – 2024 për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

Gonxhja ftoi deputetët ta miratojnë këtë projektligj.

/k.s//r.e//a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›