E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banorët: Mos na i merrni kullotat. Debate të forta për sipërfaqet pyjore në Martanesh

Dëgjesa publike e thirrur në Martanesh për dhënien në përdorim të sipërfaqeve kullosore dhe pyjore përmes ankandit, është kthyer në një protestë të banorëve kundër planit që, sipas tyre, synon hapjen e rrugës për vendosjen e paneleve fotovoltaike në zonë.

Prania e qindra banorëve në takim si dhe tensionet që në nisje, bënë që përfaqësuesit e Bashkisë Bulqizë dhe sekretari i Këshillit Bashkiak, Klodian Reçi të largohen.

Banorët pretendojnë se ka mungesë transparence dhe se bashkia po bën përpjekje për të vendosur mbi fatin e tokave të përbashkëta pa konsultim me komunitetin.

“Nuk duhet të preket asnjë centimetër tokë”.

Ata paralajmëruan se çdo vendim i njëanshëm mund të krijojë konflikte serioze sociale, pasi shumë familje po rikthehen te blegtoria dhe përdorimi i kullotave.

Kjo protestë vjen në një moment kur debate të ngjashme po zhvillohen edhe në zona të tjera të Bashkisë Bulqizë.

Disa ditë më parë, edhe në Lejçan të Ostrenit dhe në Gjoricë, dëgjesat publike u shoqëruan me kundërshti të forta nga banorët që refuzuan planet për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›