E Diel, 1 Nëntor 2026

DETAJE/ I moshuari në Korçë u gjet i pajetë nga postieri, 78-vjeçari u përlesh me autorin, ka dy plagë në kokë

Detaje të tjera mësohen rreth vrasjes së 78-vjeçarit Gëzim Vija në Bulgarec të Korçës.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ka qenë postieri i shërbimit postar ai që ka tentuar të takohet me 78-vjeçarin Gëzim Vija për t’i dorëzuar një dërgesë, por e ka gjetur derën e banesës të mbyllur. Pas disa përpjekjesh, ai ka vënë re përmes dritares trupin e shtrirë të të moshuarit dhe ka njoftuar menjëherë fqinjët dhe policinë.

Nga ana tjetër, familjarët kanë deklaruar se viktima nuk dispononte shuma të mëdha parash, përveç pensionit mujor dhe një shume të vogël kursimesh të siguruara nga dhënia me qira e tokës.

Të afërmit kanë pohuar gjithashtu se 78-vjeçari nuk kishte konflikte me persona të tjerë dhe nuk kishte borxhe.

Gjatë ditës së sotme, policia është rikthyer në banesë dhe në zonën përreth, ku ka vijuar kontrollet dhe ka identifikuar kamera të tjera sigurie, pamjet e të cilave po verifikohen për të zbardhur lëvizjet e mundshme të autorit.

Sipas hetimeve paraprake, i moshuari ka marrë dy goditje në kokë. Brenda banesës janë konstatuar sende të thyera, çka dyshohet se tregon për një përleshje mes viktimës dhe autorit (ose autorëve). Burimet shtojnë se hetuesit janë pranë identifikimit të autorit, por ende nuk ka një emër konkret.

Deri më tani, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e grabitjes me pasojë vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›