Banorët e Rrjollit në protestë kundër ndërtimit të resortit, heqin rrethimin me tela

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Banorët e fshatit Rrjoll të Velipojës protestuan sot kundër ndërtimit të një resorti turistik në Baks-Rrjoll.
Gjatë protestës së sotme, pati përplasje mes banorëve dhe efektivëve të policisë, pasi këta të fundit i ndaluan që të futen në kantierin e ndërtimit.
Por pas përplasjeve, protestuesit hoqën gardhin metalik dhe telat me gjemba të cilat ishin vendosur për të rrethuar kantierin e ndërtimit, aty ku makineritë kanë nisur punë për ndërtimin e resortit.
Banorët e Rrjollit kanë zhvilluar edhe më parë protesta kundër ndërtimit të resortit, pasi pretendojnë se tokat ku po realizohet investimi janë pronë e tyre dhe se po cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi turistik me një sipërfaqe rreth 146 hektarë në zonën e Rrjollit (Shkodër), i cili konsiderohet si një nga investimet më të mëdha turistike në vend.
/m.q/j.p/r.e/