E Hënë, 2 Nëntor 2026

Banorët e Smokthinës në protestë – “Duam rrugë, traseja e dëmtuar shpopulloi shtatë fshatra”

Infrastruktura rrugore e dëmtuar ngriti në protestë banorët e shtatë fshatrave të krahinës në Smokthinë në Vlorë. Banorët që jetojnë aty, por edhe ata që vijnë nga emigracioni për të parë familjet e tyre, kërkuan të dielën asfaltimin e 25 kilometrave rrugë që lidh fshatrat e zonës.

“Nëse do të vejë në veshë të shurdhër kjo punë, ne në qoftë se sot jemi 500 veta, do të bëhemi 1.000, 2.000 bashkë me bashkatdhetarët jashtë shtetit, me emigrantët, dhe këtë problem do ta çojmë deri në fund,” u shpreh një banor.

“Arsyeja kryesore pse fshati ynë është shpopulluar i gjithi ka qenë rruga. Fshatarët tanë nuk kanë pasur mundësinë minimale për të jetuar. Kjo që ka ndodhur në fshatin tonë nuk duhet të ndodhë në gjashtë fshatrat e tjerë. Prandaj ne themi dhe duhet të kemi dëshirën e mirë për t’ia prezantuar qeverisë që kjo rrugë duhet të bëhet,” tha një banor tjetër.

“Është krahinë e komandave dhe spitaleve të luftës, e shpellave, e kalave, e mozaikëve të lashtë, e ujit të kristaltë, e mbështetur me krenari në dy male: Tartar dhe Çipin,” tha një banor.

Banorët të dielën bllokuan për më shumë se 40 minuta rrugën nacionale të Lumit të Vlorës, ndërsa efektivët blu ishin prezentë. Ata paralajmëruan të tjera protesta me më shumë pjesëmarrje nëse kërkesa e tyre nuk do të trajtohet nga institucionet lokale dhe qendrore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›